Kurti shfaq shenja paniku për garën në Prishtinë, sulmon Ramën e Ismailin duke përmendur oligarkët: S’kanë vizion e respekt për qytetarin

Kryetari i VV-së, Albin Kurti në postimin e fundit ka shfaqur shenja paniku për garën në Prishtinë. Duke e parë se po rriten zërat që Hajrulla Çeku mund të mos jetë fare pjesë e balotazhit, Kurti me një postim i ka sulmuar keq kundërkandidatët e tij kryesorë, Përparim Ramën e LDK-së dhe Uran Ismailin e…

Lajme

08/10/2025 11:18

Kryetari i VV-së, Albin Kurti në postimin e fundit ka shfaqur shenja paniku për garën në Prishtinë.

Duke e parë se po rriten zërat që Hajrulla Çeku mund të mos jetë fare pjesë e balotazhit, Kurti me një postim i ka sulmuar keq kundërkandidatët e tij kryesorë, Përparim Ramën e LDK-së dhe Uran Ismailin e PDK-së, transmeton lajmi.net.

Kurti si gjithmonë, nuk ka mundur të mos i përmend oligarkët në fjalimet e tij.

“Na duhet ky ndryshim, sepse Prishtina është bërë qytet i vështirë për ne që jetojmë në kryeqytet por edhe për ata që e vizitojnë. Nuk mund të bëhesh e as të jesh kryetar i Prishtinës kur oligarkët ta përcaktojnë kahjen e zhvillimit të qytetit. Nuk kalojnë të tillët më në Prishtinë e Prishtina nuk e lejon më këtë.”, tha fillimisht ai në postim.

Tutje, Kurti sulmoi në mënyrë brutale Ramën e Ismailin.

“Ata nuk kanë vizion e as respekt për qytetarin. Ne e kemi vizionin për Prishtinën, e kemi platformën qeverisëse, e kemi edhe dashurinë për qytetin.”, shkroi Kurti.

Postimi i plotë:

Më 12 tetor, lagjja Mat, ia bën mat në tri lëvizje pushtetit aktual komunal në Prishtinë: e para Hajrulla Çeku kryetar; e dyta VETËVENDOSJE!, 105; e treta vota për një nga kandidatët për Kuvend Komunal, për shumicë në përfaqësimin e kryeqytetit.
Na duhet ky ndryshim, sepse Prishtina është bërë qytet i vështirë për ne që jetojmë në kryeqytet por edhe për ata që e vizitojnë. Nuk mund të bëhesh e as të jesh kryetar i Prishtinës kur oligarkët ta përcaktojnë kahjen e zhvillimit të qytetit. Nuk kalojnë të tillët më në Prishtinë e Prishtina nuk e lejon më këtë.
Ata nuk kanë vizion e as respekt për qytetarin. Ne e kemi vizionin për Prishtinën, e kemi platformën qeverisëse, e kemi edhe dashurinë për qytetin. E kemi edhe kandidatin që e mishëron atë dashuri dhe ky është Hajrulla Çeku. Hajra e njeh më mirë se kushdo tjetër Prishtinën sepse e jeton, e ka përjetuar dhe studiuar. Ai është profesionist i dalluar, ministër i dëshmuar, njeri i ndershëm dhe zyrtar i përkushtuar.
Hajra nuk favorizon lagje dhe nuk bën pazare, nuk punon për emra të përveçëm dhe nuk i frikësohet askujt. Është njeri që bashkon e punon, jo që ndan e improvizon. Hajrulla Çeku dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta bëjnë Prishtinën qytet ku planifikohet me dije, investohet me prioritet dhe ku çdo lagje merr trajtimin që i nevojitet dhe e meriton. Le ta sjellim fitoren e madhe për Matin, për Prishtinën e për të mirën e secilit banor të kryeqytetit./lajmi.net/