Kurti publikon foto nga vizita në Veri: Sulmi kishte qëllim cenimin e sigurisë kombëtare dhe jetës normale në Kosovë
Kryeministri Albin Kurti ka publikuar disa fotografi nga vizita që ka bërë sot në Zubin Potok tek vendi ku ka ndodhur shpërthimi me eksploziv në kanalin e Ibër Lepencit. Kurti, përmes një postimi në facebook është shprehur se sulmi kishte qëllim cenimin e sigurisë kombëtare dhe jetës normale në Kosovë. “Sulmi dhe shpërthimi i mbrëmshëm…
Lajme
Kryeministri Albin Kurti ka publikuar disa fotografi nga vizita që ka bërë sot në Zubin Potok tek vendi ku ka ndodhur shpërthimi me eksploziv në kanalin e Ibër Lepencit.
Kurti, përmes një postimi në facebook është shprehur se sulmi kishte qëllim cenimin e sigurisë kombëtare dhe jetës normale në Kosovë.
“Sulmi dhe shpërthimi i mbrëmshëm kishte për qëllim dëmtimin e pariparueshëm të infrastrukturës kritike dhe rrjedhimisht cënimin e sigurisë kombëtare dhe defunksionalizimin e jetës normale në vendin tonë.
Falë punës së jashtëzakonshme të institucioneve, inxhinierëve dhe punëtorëve të ndërrmarrjeve publike, u rikthye në funksion kanali i Ibër Lepencit në kohë rekorde duke mundësuar furnizimin e KEK-ut me ujë. Për këtë u jemi shumë falënderues dhe mirënjohës për punën dhe angazhimin.
Sot së bashku me ministrin Sveçla, Drejtorin e Policisë së Kosovës, Hoxha dhe Drejtorin e AKI-së, Ajeti dhe Kryeshefin Ekzekutiv të “Ibër-Lepencit”, Mujka ishim në fshatin Varagë të Zubin Potokut, tek kanali i dëmtuar nga shpërthimi i mbrëmshëm.
Institucionet tona të sigurisë janë duke bërë përpjekje maksimale për zbardhjen e rastit dhe deri tani ato kanë kryer bastisje ku ka edhe të arrestuar, dëshmi e prova materiale. Të gjithë këta kriminelë dhe terroristë do të përballen me drejtësinë. Në anën tjetër, institucionet tjera përkatëse janë duke bërë gjithçka çfarë është e mundur që të sigurohet uji i pijshëm, energjia elektrike e ngrohja.
Një falënderim të veçantë për qytetarët e vendit për mbështetjen, solidaritetin dhe maturinë e treguar”, ka shkruar Kurti.