Kurti: Procesi Regjistrimit të Popullsisë është një etapë shumë e rëndësishme e progresit të vendit

Në shënim të përfundimit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, i nisur më 5 prill 2024, Agjencia e Statistikave të Kosovës, në bashkëpunim me UNDP-në, organizoi sot një ceremoni përmbyllëse të këtij procesi me rëndësi të madhe shtetërore dhe shoqërore. Në këtë ceremoni mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Ai u…

Lajme

25/05/2024 14:40

Në shënim të përfundimit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, i nisur më 5 prill 2024, Agjencia e Statistikave të Kosovës, në bashkëpunim me UNDP-në, organizoi sot një ceremoni përmbyllëse të këtij procesi me rëndësi të madhe shtetërore dhe shoqërore. Në këtë ceremoni mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Ai u shpreh i lumtur për përfundimin me sukses të regjistrimit të popullsisë, pas plot 13 viteve kur ishte bërë për herën e fundit, duke theksuar se kjo është një etapë shumë e rëndësishme e progresit të vendit tonë dhe padyshim se këtij suksesi i gëzohemi të gjithë.

Kryeministri Kurti ka falënderuar të gjithë qytetarët të cilët kanë hapur dyert dhe zemrat e tyre për regjistruesit tanë, për të cilët tha se kanë mbledhur të dhëna të rëndësishme që do të ndihmojnë në planifikimin e ardhshëm. Ai i falënderoi edhe ekipet e regjistruesve, tërë stafin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, dhe të gjithë përkrahësit e këtij procesi.

“Të dhënat e mbledhura do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira, për një zhvillim edhe më të hovshëm e më të qëndrueshëm të vendit tonë. Në veçanti i falënderoj edhe partnerët tanë ndërkombëtarë për bashkëpunimin. Së bashku mund të arrijmë gjithçka, të jemi edhe të numëruar edhe të lumtur”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve.

Për realizimin dhe përfundimin e suksesshëm të këtij procesi, mbështetje dhe kontribut të çmuar kanë dhënë edhe institucionet ndërkombëtare përfshirë: Eurostat, UNECE, UNFPA, UNDP dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare në Kosovë, për të cilat gjithashtu jemi mirënjohës dhe falënderues.

  

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

 

I nderuari z. Avni Kastrati, ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës,

I nderuari z.Nuno Queiros, shef i UNDP-së në Kosovë,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Jam i lumtur për rastin për të cilin jemi mbledhur këtu sot: përfundimin me sukses të regjistrimit të popullsisë, pas plot 13 viteve kur është bërë herën e fundit. Kjo është një etapë shumë e rëndësishme e progresit të vendit tonë dhe padyshim se këtij suksesi i gëzohemi të gjithë!

I falënderojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë hapur dyert dhe zemrat e tyre për regjistruesit tanë. Kemi mbledhur të dhëna të rëndësishme që do të ndihmojnë në planifikimin e së ardhshmes.

Një falënderim të veçantë shkon për ekipin e regjistruesve, tërë stafin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, dhe të gjithë përkrahësve të këtij procesi: është bërë një punë e shkëlqyer, andaj ju lutem, meqenëse kështu e kam shkruar në fjalim, edhe një herë duartrokitje për të gjithë ju!
Të dhënat e mbledhura do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira, për një zhvillim edhe më të hovshëm e më të qëndrueshëm të vendit tonë. Në veçanti i falënderoj edhe partnerët tanë ndërkombëtarë për bashkëpunimin. Së bashku mund të arrijmë gjithçka, të jemi edhe të numëruar edhe të lumtur.

E krejt në fund më lejoni ta falënderoj z. Queiros, i cili ka qenë gjithmonë pranë nesh në këtë proces, i cili në fillet e veta ka pasur shumë skeptikë. Mirëpo tash ja ku jemi ngadalë duke hyrë në javën e fundit të muajit maj dhe të gjithë optimistët kanë pasur të drejtë, e atyre ju kanë bashkuar edhe pesimistët, meqenëse s’kemi lenë askë pa numëruar.