Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin turk, e falënderon për kontributin në forcimin e marrëdhënieve Kosovë-Turqi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në një takim lamtumirës ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, të cilin e ka falënderuar për kontributin e dhënë gjatë mandatit të tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Përmes një postimi, Kurti ka vlerësuar partneritetin e vazhdueshëm ndërmjet dy shteteve, duke theksuar se…

Lajme

20/07/2026 17:29

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në një takim lamtumirës ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, të cilin e ka falënderuar për kontributin e dhënë gjatë mandatit të tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Përmes një postimi, Kurti ka vlerësuar partneritetin e vazhdueshëm ndërmjet dy shteteve, duke theksuar se Turqia ka qenë një mbështetëse e rëndësishme e Kosovës që nga periudha e çlirimit.

“Turqia ka qenë partnere dhe aleate e Republikës sonë, që nga çlirimi, shpallja e pavarësisë dhe përmes raporteve gjithnjë në rritje ajo është një prej shteteve që vendi ynë bashkëpunon shumë në aspektin ushtarak dhe të mbrojtjes, si dhe të ekonomisë e tregtisë”, ka shkruar Kurti.

Kreu i ekzekutivit në detyrë theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Turqisë është forcuar ndër vite në fusha të ndryshme, duke veçuar mbrojtjen, ekonominë dhe tregtinë.

Në fund të mesazhit të tij, Kurti i uroi ambasadorit Angili suksese në angazhimet e ardhshme, duke e falënderuar për punën dhe përkushtimin e treguar gjatë shërbimit diplomatik në Kosovë.