Kurti premton arsim falas dhe investime në shëndetësi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti tha të enjten se me Vetëvendosjen në qeveri do të katërfishohen investimet në shëndetësi, dhe se arsimi do të jetë falas.

Lajme

29/05/2014 16:03

Ai në tubimin e Vetëvendosje në Viti tha se Vetëvendosje ka mundësin edhe garancionin për ndryshimin

“Ne nuk ia kemi pasur borxh këtë situatë të mjerueshme, por këta politikanë si duket ia kanë pasur me borxh dikujt, e këtë borxh le ta paguajnë”.

“Këto partitë e tjera nuk dinë të zhvillojnë, dinë veç të bëjnë korrupsion. Zgjedhje e vërtetë është kur qytetarët zgjedhin vetë, kjo zgjedhje është zgjidhja dhe e ka numrin 35″, tha ai.

Ndërkaq Shpend Ahmeti tha se vetëm me Vetëvendosjen në pushtet mund të ketë ndryshim.

“Ne duhet ta bëjmë shtetin, ta zbusim pabarazinë e ta luftojmë krimin e korrupsionin”.

Kandidati nga Vitia, Salih Salihu tha se qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje e ka vendosur bujqësinë si prioritet kombëtar. 

“Gjatë tri vjetëve të qeverisjes do të jetë 60 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur deri në 120 milionë euro në vitin e tretë. Po ashtu, Lëvizja Vetëvendosje parasheh edhe themelimin e një banke agrare”,tha Salihu

Ndërsa ish shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, foli për ndryshimin duke thënë se ky vjen nëse bëhemi bashkë, dhe me numrin 35 e ndalin degradimin dhe e bëjnë Republikën.

“Qytetarët nuk kanë kohë që të tjerët ta bëjnë milionin e tyre të ri, ose kthesën e tyre të gjatë, por momenti për qytetarët është tash dhe ndryshimin e bën Lëvizja Vetëvendosje”.

“Me procesin e privatizimeve e shkatërruan ekonominë e vendit, kurse me politikat fiskale ia hapën rrugën prodhimeve të huaja. Lëvizja Vetëvendosje do ta rimëkëmbë Trepçën dhe për këtë do t’i investojë 300 milionë euro”, tha Ymeri.