Kurti: Politikanët u pasuruan në kurrizin e të varfërve

Albin Kurti ka thënë se gjendja e rëndë sociale dhe rritja e pabarazisë ka ardhur sepse Kosova është bërë Republikë e politikanëve të pasur në kurriz të njerëzve të varfër. Ai ka thënë se te ardhurat që kanë qytetarët e Kosovës nuk i përkasin një shteti të zhvilluar.

Lajme

18/04/2014 17:32

Lideri i Lëvizëses Vetëvendosje, Albin Kurti , është shprehur se vendi gjendet në mjerim social,  duke pasur parasysh shkallen e lartë të varfërisë. 

Ai tha se pabarazia është rritur shumë sepse Kosova është bërë Republikë e politikanëve të pasur në kurriz të njerëzve të varfërve.

Kurti gjatë fjalimit të tij në Kolegjin ISPE, me temën “Çështjet sociale në Kosovë”, tha se nga politikat që janë zhvilluar në Kosovën e pasluftës, si në aspektin ekonomik, po ashtu dhe në atë institucional e administrativ, shoqëria kosovare ka qenë nën sulm për shkak se është promovuar rëndësia e pakontestueshme e individit.

 “Pabarazia në Kosovë është rritur shumë për shkak se Kosova është bërë një republikë e politikanëve të pasur, në kurriz të masave të gjëra, gjithnjë e më të varfra”.

“Familja mesatare kosovare shpenzon afër 38 për qind për ushqim, shpenzon afër 31 për qind për energji dhe strehim dhe rreth 31 për qind për pagesa të tjera, ku përfshihet dhe telefoni, ujësjellësi, kanalizimi dhe shërbime të ndryshme publike. Me ç’rast vetëm afër 1 për qind mbetet për arsimin. Pra, kjo shpërndarje e të ardhurave në familjen kosovare, sipas sektorëve sot tregon shumë për të ardhmen tonë, e cila nuk mund të jetë e ndritur, po nuk ndryshoj jo thjeshtë gjendja, por proceset që na kanë sjellë në këtë gjendje”, ka thënë Kurti.

Kurti  tha se me të ardhurat që kanë qytetarët e Kosovës, nuk përbën një shtet të zhvilluar, por përbën një shtet të pazhvilluar.

“Ne besojmë se Kosova me këtë varfëri e cila është 45 për qind të popullsisë, sa aq njerëz jetojmë më me pak se dy dollar në ditë dhe 18 për qind të tjerë që jetojnë më me pak se një dollar në ditë, nuk përbën një shtet të zhvilluar, por përbën një shtet të pazhvilluar, me mjerim social, i cili me eufemizëm do të mund të quhet shtet në zhvillim”.

“Ne nuk jemi kundër të pasurve. Por jemi kundër të pasurve që pasurinë e tyre e krijuan në mënyrë të paligjshme, dhe sidomos duke përdorur politiken për një gjë të tillë.”, tha ai.

Kurti foli dhe për evazionin fiskal duke pohuar se evazioni fiskal është më i madh tek bizneset të cilat janë të lidhura me politiken.

(KosovaPress)