Kurti përkujton Betejën e Koshares: UÇK u kthye në aleatë të NATO-s për të ndalur spastrimin etnik që Serbia po kryente në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 27 vjetorin e Betejës së Koshares që kishte qëllim shembjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ai ka thënë se në këtë datë, 27 vite më parë ushtarët e UÇK-së mësyen mbi pozicionet ushtarake të Serbisë në brezin kufitar mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë, duke sulmuar mbi bazën…

Lajme

09/04/2026 11:07

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 27 vjetorin e Betejës së Koshares që kishte qëllim shembjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai ka thënë se në këtë datë, 27 vite më parë ushtarët e UÇK-së mësyen mbi pozicionet ushtarake të Serbisë në brezin kufitar mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë, duke sulmuar mbi bazën “7 korriku”, Rrasën e Koshares dhe majen Gllava.

Kurti ka kujtuar se si nga ajo ditë, deri më 10 qershor, për dy muaj të plotë rresht, mijëra pjesëtarë të UÇK-së janë përfshirë në luftimet e Betejës së Koshares, në një territor të shtrirë prej disa kilometrash dhe në një reliev të thyer malor e kodrinor.

“Beteja e Koshares nisi dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi dhe vazhdoi deri në ditën e fundit të kësaj fushate. Gjatë atyre ditëve, një ushtri çlirimtare dhe gjithëkombëtare vullnetarësh siç ishte UÇK-ja, u kthye në një aleate të aleancës më të madhe ushtarake të botës, NATO-s, që së bashku i ndaluan fushatat e spastrimit etnik dhe të gjenocidit që Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit po i kryente ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ndër luftime të ashpra gjatë Betejës së Koshares, 114 luftëtarë të UÇK-së ranë dëshmorë duke luftuar për çlirimin e Kosovës, teksa mbi 400 të tjerë u plagosën”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se pala serbe asnjëherë nuk i publikoi të dhënat e humbjeve të turpshme prej kësaj beteje, por ka thënë se mbi 100 pjesëtarë të ushtrisë jugosllave mbetën të vrarë kurse shumëfishi i numrit të tyre u plagosën.

“Çdo pranverë, i kujtojmë me mirënjohje dhe nderime të gjithë luftëtarët e UÇK-së që morën pjesë me guxim në Betejën e Koshares, duke dhënë djersë, mund dhe gjak për atdheun tonë dhe lirinë e popullit. Lavdi u qoftë dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares, sot e përmot”, ka shkruar Kurti. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: