Kurti: Përbërja e qeverisë së ardhshme do ketë shumë prej emrave që u prezantuan nga unë dhe Konjufca, por s’do jetë identike

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka qëndruar sot në Podujevë. Nga atje, Kurti është deklaruar edhe në lidhje me hapat që pritet të merren drejt krijimit të Qeverisë së re të Kosovës. Kurti bëri të ditur se përbërja e qeverisë së ardhshme do të ketë shumë prej emrave të prezantuar tanimë nga ai dhe ish…

Lajme

04/02/2026 14:51

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka qëndruar sot në Podujevë.

Nga atje, Kurti është deklaruar edhe në lidhje me hapat që pritet të merren drejt krijimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Kurti bëri të ditur se përbërja e qeverisë së ardhshme do të ketë shumë prej emrave të prezantuar tanimë nga ai dhe ish kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë vjeshtës së vitit të kaluar.

Por, Kurti gjithashtu tha se kjo përbërje nuk do të jetë identike.

“Do të ketë shumë prej emrave që i kemi prezantuar unë dhe Glauk Konjufca në vjeshtën e vitit të kaluar, por nuk do të jenë identikë. Do të ketë edhe emra të tjerë”, ka deklaruar Kurti.

Përpos kësaj, Albin Kurti tha se hapi i parë është konstituimi i Kuvendit, ndërsa menjëherë pas kësaj synohet formimi sa më i shpejtë i Qeverisë, shkran Indeksonline

“Ne po përgatitemi që së pari ta konstituojmë Kuvendin dhe sa më shpejt ta formojmë Qeverinë”,deklaroi tutje ai.

Kryeministri në detyrë foli edhe për obligimet ndërkombëtare, duke bërë të ditur se Kosova ka tre marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore, si dhe një plan rritjeje me Bashkimin Evropian në vlerë prej 882.6 milionë euro, i cili duhet të miratohet sa më parë në Kuvendin e Republikës.

“I kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore dhe njëkohësisht e kemi Planin e Rritjes me BE-në në vlerë prej 882.6 milionë euro, që duhet sa më parë ta miratojmë në Kuvend”, ka përfunduar Kurti./Lajmi.net/