Kurti pas votimit: Pjesëmarrja masive rrit cilësinë e zgjedhjeve dhe legjitimitetin e institucioneve

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka votuar sot në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës për zgjedhjet parlamentare dhe legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës. Pas hedhjes së votës, Kurti ka folur para mediave, duke e cilësuar këtë ditë si të bukur dhe shumë të rëndësishme për vendin. Ai u…

Lajme

28/12/2025 09:56

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka votuar sot në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës për zgjedhjet parlamentare dhe legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës.

Pas hedhjes së votës, Kurti ka folur para mediave, duke e cilësuar këtë ditë si të bukur dhe shumë të rëndësishme për vendin. Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe të marrin pjesë në përcaktimin e përbërjes së Kuvendit të ardhshëm.

“Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme. I ftoj të gjithë qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre dhe ta përdorin mundësinë për t’u përcaktuar për përbërjen e Kuvendit të ardhshëm. Uroj dhe besoj që legjislatura e dhjetë ta konstituojë Kuvendin dhe njëkohësisht ta formojë qeverinë e re”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në fushatë, për durimin, vëmendjen dhe angazhimin e treguar gjatë gjithë procesit zgjedhor, duke shprehur shpresën për një dalje masive në votime.

Sipas Kurtit, pjesëmarrja e lartë e qytetarëve ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e zgjedhjeve dhe në legjitimitetin e institucioneve që do të dalin nga ky proces.

“Pjesëmarrja masive reflektohet jo vetëm në cilësinë e zgjedhjes, por edhe në legjitimitetin e institucioneve”, ka përfunduar Kurti. /Lajmi.net/