Kurti pas takimit me Osmanin: Le t’i japim shansin edhe takimeve tjera deri në fund për të parë se cili është progresi

Nuk ka shumë kur edhe ka përfunduar takimi i presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. E menjëherë pas këtij takimi Kurti, u deklarua para mediave duke thënë se do të bëjnë çmos për konstituimin e Kuvendin në frymën e bashkëpunimit. Po ashtu një reagim të ngjashëm Kurti e bëri edhe në profilin…

Lajme

02/07/2025 13:07

Nuk ka shumë kur edhe ka përfunduar takimi i presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

E menjëherë pas këtij takimi Kurti, u deklarua para mediave duke thënë se do të bëjnë çmos për konstituimin e Kuvendin në frymën e bashkëpunimit.

Po ashtu një reagim të ngjashëm Kurti e bëri edhe në profilin e tij zyrtar në Facebook, ku shkroi se afatet po rrjedhin dhe në javën e fundit të korrikut duhet të konstituohet legjislatura e nëntë.

“Le t’i japim shansin edhe takimeve tjera deri në fund për të parë se cili është progresi për të cilin jemi të interesuar të gjithë”, ka theksuar Kurti. /Lajmi.net/

Postimi i plotë:

Diskutuam gjerë e gjatë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani lidhur me konstituimin e Kuvendit të Republikës në dritën e Aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Afatet po rrjedhin. Në javën e fundit të korrikut duhet që ta konstituojmë legjislaturën e nëntë. Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit, me konsultime të dendura dhe konstruktive dhe gjithashtu me idenë e konsensusit apo kompromisit ta realizojmë këtë gjë, në mënyrë që më pastaj të kalojmë te formimi i qeverisë së re që i përgjigjet kuvendit të ri të Republikës.

Znj. Presidente gjatë ditës do të ketë takime edhe me përfaqësues të partive tjera politike dhe mbase në fund mund të shohim se a kemi bërë përparim, sa kemi bërë përparim dhe sa është i mjaftueshëm një përparim i tillë. Le t’i japim shansin edhe takimeve tjera deri në fund për të parë se cili është progresi për të cilin jemi të interesuar të gjithë.