Kurti pas takimit me Costan: Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave me BE-në

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, dy ditë para Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat. Sipas njoftimit të ZKM, Kurti e ka falenderuar Costan për kontributin e BE-së si donatori më i madh në zhvillimin dhe…

Lajme

03/06/2026 15:07

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, dy ditë para Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat.

Sipas njoftimit të ZKM, Kurti e ka falenderuar Costan për kontributin e BE-së si donatori më i madh në zhvillimin dhe ndërtimin e Kosovës, mbështetje të cilën Kosova ka thënë se e ka kthyer në kultivimin dhe promovimin e vlerave të BE-së si dhe në forcimin e institucioneve.

“Kryeministri në detyrë theksoi se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të shpejtat në rajon. Ai vlerësoi se Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor zhvillimor i Kosovës. Kryeministri në detyrë Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që derivojnë nga Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat”, thuhet në komunikatë të ZKM-së. 

Aty thuhet se është biseduar edhe për bashkëpunimin me institucionet e BE-së, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal.

“Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar luftën agresive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës në termat më të ashpër dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Kjo ishte vizita e dytë e Presidentit Costa në Prishtinë, pas asaj që realizoi në maj të vitit të kaluar. Me progresin e shënuar në vitet e fundit, me forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e lirive, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik, Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave”, thuhet në komunikatë. /Lajmi.net/

Fotografi nga takimi: