Kurti pas shembjes së Teatrit Kombëtar: Arkiva e një populli duhet të mbahet e paprekur nga regjimet

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas shembjes së Teatrit Kombëtar të Tiranës.

ShowBiz

17/05/2020 17:00

Mëngjesin e së dielës autoritetet kanë shembur Teatrin Kombëtar në Tiranë.

Pas shembjes së tij ka reaguar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Kurti ka shkruar se duhet ta mbrojmë kulturën tonë në çdo cep dhe jo ta shkatërrojmë atë.

Sipas Kurtit, arkiva e një populli duhet të mbahet e paprekur nga gjerimet dhe siç u shpreh ai, kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli.

“Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave”, ka shkruar Kurti ndër të tjerash, përcjell lajmi.net.

Reagimi i plotë i Kurtit, pa ndërhyrje:

Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë.

Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës.

Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional.

Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli.

Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave.

I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë. /Lajmi.net/