Kurti paraqitet në Gjykatë, merr pjesë në seancën gjyqësore ndaj Klinakut
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti sot ka shkuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Aty sot do të mbahet seanca gjyqësore ndaj Faton Klinakut për kërcënim ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit. Klinaku, së bashku me një person tjetër me inicialet N.S., akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për kanosje ndaj Kurtit përmes rrjeteve…

Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti sot ka shkuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Aty sot do të mbahet seanca gjyqësore ndaj Faton Klinakut për kërcënim ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.
Klinaku, së bashku me një person tjetër me inicialet N.S., akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për kanosje ndaj Kurtit përmes rrjeteve sociale më 30 gusht të vitit 2023.
Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së më herët kishte thënë se mbetet të shihet nëse kryeministri Kurti do të jetë i pranishëm në këtë seancë në cilësinë e të dëmtuarit dhe dëshmitarit të Prokurorisë.
“Shqyrtimi fillestar në Gjykatën Themelore në Prishtinë është caktuar të mbahet më 3 shtator 2025, në ora 09:00. Ta shohim nëse Albin Kurti do t’i përgjigjet ftesës si i dëmtuar-dëshmitar i Prokurorisë,” ka shkruar Klinaku në Facebook.
Klinaku kishte deklaruar në fillim të gushtit se as ai dhe as avokati i tij nuk ishin njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj tij, por kishte shtuar se “mezi pret” të ballafaqohet me Kurtin në gjykatë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar aktakuzën ndaj dy personave të cilët dyshohen se kanë kanosur kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Sipas aktakuzës, më 30 gusht 2023, Klinaku akuzohet se ka ripostuar një mesazh me përmbajtje kërcënuese ndaj Kurtit, ku thuhej:
“… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova.”