Kurti paralajmëron dy palë zgjedhje, një palë në dimër e një palë në pranverë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur sot konferencë për media ku ka folur në lidhje me rrjedhën e situatës në vend pasi dje nuk është votuar Qeveria Kurti 3. Ai ka thënë se nga dje nuk kanë marrë ende ftesë nga presidentja por që ka thënë se do të konsultohen me të,…
Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur sot konferencë për media ku ka folur në lidhje me rrjedhën e situatës në vend pasi dje nuk është votuar Qeveria Kurti 3.
Ai ka thënë se nga dje nuk kanë marrë ende ftesë nga presidentja por që ka thënë se do të konsultohen me të, shkruan lajmi.net.
“E dimë që për herën e dytë është në diskrecionin e saj çështja për mandatarin për formimin e Qeverisë. Në bazë të asaj që dëgjuam dje dhe rrethanave që ekzistojnë, duket që të gjithë tash po përgatiten jo vetëm për balotazhin por edhe për zgjedhjet e reja parlamentare”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se është për keqardhje që përveç balotazhit mund të kemi edhe dy palë zgjedhje.
“Ndoshta është për të ardhur keq që përveç balotazhit mund të kemi edhe dyherë tjera zgjedhje. Zgjedhje në dimër e zgjedhje në pranverë sepse kur nuk arritëm ti bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re është vështirë e imagjinueshme që mund ti bëjmë kollaj 80 deputet. Dhe i kemi vetëm 4 muaj deri te zgjedhja e presidentes, afatet kohore po ikin me shpejtësi dhe është për keqardhje që përveç balotazhit mund të kemi edhe dy herë zgjedhje. Kemi mundur së paku këto zgjedhjet e dhjetorit t’i evitojmë e ti kemi vetëm ato në pranverë. Të presim tash, i kemi 10 ditë afat për presidenten për rrugën përpara e cila në bazë të të gjitha fakteve e shenjave është vetëm ajo e zgjedhjeve të reja”, ka shtuar Kurti. /Lajmi.net/