Kurti para tri javësh thoshte se paratë për veriun do të regjistrohen si borxh, por në marrëveshje për energjinë nuk figuron kurrkund

Lajme

21/06/2022 15:15

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati premtuar se “çdo cent i dhënë për veri do të regjistrohet si borxh” përpara tri javësh në një konferencë për media, teksa njoftonte se Qeveria e Kosovës është afër me atë të Serbisë të krijojnë ujdi për energjinë. Mirëpo, kompensimi për pagesat për veriun nuk figuron kurrkund në udhërrëfyesin për zbatiin e marrëveshjeve të energjisë.

Kurti tha se faturimi i energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës është e pa alternativë, gjë që parashihet edhe në udhërrëfyesin e ujdive për energjinë.

Sidoqoftë, kryeministri premtoi se të gjitha paratë e derimëtanishme që janë dhënë për pagesën e rrymës së veriut do të regjistrohen si borxh.

“Ne e kemi trashëguar një gjendje të rëndë ku s’ka pasur faturim të energjisë në veri. Nuk ka alternativë faturimi dhe çdo cent i dhënë për veri do të regjistrohet si borxh, ne nuk jemi duke falur para”, deklaronte ai.

Megjithatë, një premtim i këtillë më shumë duket të jetë pjesë e retorikës së tij. Kjo, pasi që kompensimi i parave të humbura deri më tani nga buxheti i Kosovës në mbulimin e shpenzimeve të rrymës në veri nuk figuron kurrkund në udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve të energjisë.

Nga KOSTT-i kanë thënë se përgjatë 2021-ës, kanë regjistruar 40 milionë euro humbje shkak i mbulesës së shpenzimeve energjetike të katër komunave veriore. Kësisoj, ata patën paralajmëruar edhe rrezikun për falimentim.

“Detyrimi i vendosur nga ZRrE përmes Licencës për Operatorin e Sistemit të Transmetimit për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës duke mos përfshirë të hyrat për koston e kësaj energjie e ka sjellë KOSTT-in në prag të falimentimit”, patën thënë në komentin e tyre për ZRRE-në në janar të këtij viti, në propozimin e operatorit për ZRRE-në për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Të njëjtit patën thënë se nga Qeveria e Kosovës janë mbuluar rreth 7,673,462 milionë euro, pjesa tjetër prej 33,176,197 euro është mbuluar nga buxheti i KOSTT-it.

Kosova ka arritur ujdi me Serbinë lidhur me çështjen e energjisë. Sipas marrëveshjes, kompania Elektrosever, kompani me pronësi serbe e themeluar në Kosovë, sipas ligjeve të Kosovës, do të fillojë furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Udhërrëfyesi ka kërkuar që të zbatohen marrëveshjet e energjisë, të arritura më 2013-ën dhe 2015-ën nga ish-kryeministri Hashim Thaçi dhe atëbotë pasuesi i tij, Isa Mustafa. /Lajmi.net/