Kurti para pushimeve takohet me zyrtarët e administratës: Shteti po ecën përpara pavarësisht pengesave politike
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shfrytëzuar ditët e fundit para sezonit të pushimeve verore për t’u dërguar një mesazh zyrtarëve publikë, duke vlerësuar punën e tyre dhe duke theksuar se institucionet po vazhdojnë funksionimin normal pavarësisht zhvillimeve politike në vend. Në një takim të organizuar në ballkonin e ndërtesës së Qeverisë, Kurti tha se…
Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shfrytëzuar ditët e fundit para sezonit të pushimeve verore për t’u dërguar një mesazh zyrtarëve publikë, duke vlerësuar punën e tyre dhe duke theksuar se institucionet po vazhdojnë funksionimin normal pavarësisht zhvillimeve politike në vend.
Në një takim të organizuar në ballkonin e ndërtesës së Qeverisë, Kurti tha se administrata shtetërore, ekonomia dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm po vazhdojnë punën, ndonëse vendi vazhdon të përballet me sfida politike dhe procedurale, transmeton lajmi.net.
“Shteti ecën pavarësisht pengesave politike dhe vështirësive procedurale”, deklaroi Kurti para stafit të Zyrës së Kryeministrit, duke shtuar se rezultatet në ekonomi, kulturë, arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe fusha të tjera janë meritë e punës së zyrtarëve publikë.
Në prag të Ditës së Shërbimit Publik, kryeministri në detyrë e përshkroi politikën si “shërbim ndaj qytetarëve”, duke theksuar se institucionet duhet të jenë efikase dhe të orientuara drejt interesit publik.
Një pjesë të madhe të fjalimit të tij, Kurti ia kushtoi rëndësisë së bashkëpunimit brenda administratës shtetërore. Ai u kërkoi zyrtarëve që sfidat të mos i shohin si arsye për ankesa, por si mundësi për të gjetur zgjidhje të përbashkëta, duke vënë theksin tek komunikimi, ndarja e përvojave dhe puna ekipore.
Sipas tij, institucionet pas zgjedhjeve nuk janë aty për të zëvendësuar vullnetin e qytetarëve, por për ta zbatuar atë përmes respektimit të ligjeve dhe realizimit të programeve qeveritare.
Kurti tha se fokusi kryesor i administratës duhet të mbetet puna dhe shërbimi ndaj qytetarëve, ndërsa u bëri thirrje zyrtarëve që të vazhdojnë koordinimin dhe bashkëpunimin edhe pas përfundimit të sezonit veror.
Takimi u mbajt në të ashtuquajturin “Ballkoni i Hapur” i Qeverisë, të cilin Kurti e cilësoi si hapësirë për komunikim dhe koordinim më të madh ndërmjet zyrtarëve publikë.
Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:
Të nderuar kolegë,
Mirë se e gjejmë njëri tjetrin në këtë pushim të përbashkët rreth një orësh, kur jemi në ditët e fundit para stinës së verës, në kuptimin kalendarik kur edhe shumica i marrin pushime.
Unë ju falënderoj të gjithëve për angazhimin edhe kontributin që bëni. Qartazi shteti ecën pavarësisht pengesave politike, pavarësisht vështirësive të ndryshme procedurale. Edhe rritja ekonomike, edhe zhvillimi kulturor, edhe administrata shtetërore, por gjithashtu edhe fushëveprimtaritë tejet të rëndësishme për qytetarët e Republikës, prej arsimit e shëndetësisë, tek infrastruktura, mjedisi, sporti e të tjera, që të gjitha janë duke ecur mbarë e mirë dhe kjo duke ju falënderuar zyrtarëve si puna juaj që janë këtu në kryeministri, por edhe në secilën ministri dhe agjenci të shtetit tonë.
Javën e ardhshme është edhe Dita e Shërbimit Publik, andaj urime të gjithëve sepse këtë punë e bëjmë ne, shërbejmë.
Politika për ne është shërbim dhe është shërbim efikas e demokratik. Demokratik sepse është shërbim ndaj popullit dhe efikas për shkak se e vlerësojmë shumë kohën e qytetarit, ndërkohë që koha jonë nuk është thjeshtë koha jonë, është koha e shtetit për qytetarin.
Andaj, edhe përpiqemi që të bëjmë më të mirën e mundshme me krejt çfarë dimë në mënyrë që qytetarët të jenë sa më të kënaqur, në kuptimin e të drejtave dhe mundësive të tyre, të cilët duhet t’i shfrytëzojnë për mirëqenien e tyre individuale e familjare.
E në këtë mënyrë edhe shoqëria jonë ka progres, për shkak se duke u kujdesur për secilin, duke u kujdesur për njëri-tjetrin, atëherë edhe ajo që është agregate e kumulative, e përgjithshme, padyshim që avancon.
Ballkoni i Hapur besoj që është kundërvënia më e mirë e atyre ‘blic’ takimeve, që i kemi në korridore, shkallëve dhe në ashensor. Nuk kanë zyrat ballkone të veçanta, por kjo është arsyeja pse ndërtesa e ka një ballkon të përbashkët, dhe unë ju inkurajoj që sa më shumë të takoheni këtu, sidomos paradite kur nuk ju bie dielli, dhe që të koordinoheni me njëri-tjetrin, të bashkëveproni meqenëse në përmasën në të cilën ne arrijmë të krijojmë ekipe të suksesshme, aq më e mirë do të jetë puna jonë dhe aq më të mëdha do të jenë rezultatet tona.
Pra, duhet ta përjetojmë veten, secili prej neve, si pjesë të një e më shumë ekipeve. Pra, këtu nuk jemi thjesht individ, jemi pjesë të ekipeve dhe këto ekipe nuk janë vetëm ekipe të cilat janë të përcaktuara nga ato muret e ftohta, nejse varet çfarë fotografish edhe pikturash keni vënë aty, por muret e ftohta të zyrave tuaja ku jeni individualisht. Pra, ekipe të cilët i lidhë puna, funksionimi sa më i mirë. Dhe, në këtë mënyrë arrijmë që kjo kohë e cila nuk është e jona, por është e shtetit, për të mirën e qytetarëve, të shfrytëzohet maksimalisht.
Fokusi jonë duhet të jetë puna. Ajo çka na bën bashkë është puna dhe kjo është një punë shërbyese. Nuk është punë për vete, por është punë për të tjerët.
Andaj, shërbimi publik e ka, sipas përkufizimit, përmbushjen e secilit shërbyes në shërbimin që jep, pra në satisfaksionin që e kemi secili prej nesh kur gëzohemi që po gëzohet tjetri. Pra, kur e shohim që ai tjetri është duke u gëzuar, ky është gëzimi ynë. E ai tjetri është qytetari. Pra, është ai i cili na ka vënë këtu, prej të cilit ne i marrim të ardhurat dhe i cili paraqet edhe kuptimin e funksioneve tona të veçanta që i kemi. Kur qytetarët flasin, atëherë ajo bëhet obligim i yni.
Ne si institucione pas këtyre zgjedhjeve nuk jemi këtu për ta zëvendësuar vullnetin qytetar, por jemi për ta zbatuar atë. Dhe ky zbatim shkon duke respektuar ligjet, duke zbatuar programet e projektet, por gjithashtu edhe duke mos e ndalur asnjëherë punën, pavarësisht vështirësive e pengesave. E, këtu do të kisha dashur ta theksoj që secili prej nesh duhet që, kur ballafaqohet me një sfidë ta mendojë njëkohësisht zgjidhjen për atë sfidë, ta mendojë njëkohësisht zgjidhjen me të tjerët për tejkalimin e asaj sfide më parë sesa ta mendojmë ankesën qysh na doli ajo sfidë. Pra, përqendrimi ynë duhet të jetë tek tejkalimi, tek zgjidhja dhe atë me të tjerët. Shpesh herë një punë edhe nëse mund ta bësh vet, nganjëherë nuk është mirë ta bësh vet.
Është mirë ta bësh edhe me të tjerët, sepse nëse ka një gjë e cila rritet duke u ndarë, përveç gëzimit, është edhe dija. Pra, sa më shumë që e ndajmë dijen, aq më shumë rritet ajo dhe nëse secili prej neve i bën zgjidhjet individuale, atëherë ka më pak transmetim dhe komunikim të dijeve dhe njohurive. E që kjo të shndërrohet në një rritje të gjithmbarshme është e rëndësishme që kur të punojmë, të punojmë edhe bashkë. Ky është kuptimi i fjalës bashkëpunim. Natyrisht kur ka punë pak, atëherë tek ky bashkëpunimi vihet theksi te puna. Por kur ka shumë punë individuale, atëherë duhet ta vëmë theksin te kjo bashkë.
Ju inkurajojmë që sa më shumë të bashkëpunoni në projekte të ndryshme dhe sfidat t’i ndani me njëri-tjetrin, në mënyrë që edhe gëzimin edhe dijen, kur i zgjidhni ato sfida, ta ndani dhe ta rrisni në këtë mënyrë.
Dhe, tjetra është që zgjidhjet edhe kur i kemi arritur veçmas, qofshin ato individualisht ose ne grupe të vogla, është mirë t’i transmetojmë më tutje, në mënyrë që të mos mësojmë vetëm nga vështirësitë nëpër të cilat kemi kaluar personalisht, por të mësojmë edhe nga vështirësitë që kanë kaluar të tjerët dhe i kanë tejkaluar ato. Pra, sa më shumë që mësojmë prej problemeve të të tjerëve se si janë zgjidhur, aq më pak probleme do të kemi ne dhe aq më shpejtë do t’i zgjidhim ato.
Prandaj, komunikimi, ndërveprimi është zgjidhja për ta rritur cilësinë dhe masën e shërbimeve, e nuk po më duket që ka moment më të mirë për të folur për këtë, se sa në prag të Ditës së Shërbimit Publik, e vend më të mirë se sa ky ballkon i këndshëm në ndërtesën qendrore të Qeverisë.
Faleminderit edhe njëherë të gjithëve dhe ju dëshirojë punë të mbara e pushime të këndshme!/lajmi.net/