Kurti: Opozita donte zgjedhje me çdo kusht, Kosova po humb miliona euro
Në takimin e parë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, ku u diskutua mbi Zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka akuzuar partitë opozitare për bllokim të ligjeve dhe pengim të reformave. Sipas tij, për shkak se vendi ndodhet…
Lajme
Në takimin e parë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, ku u diskutua mbi Zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka akuzuar partitë opozitare për bllokim të ligjeve dhe pengim të reformave.
Sipas tij, për shkak se vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve Kosova do të humb miliona euro nga BE.
“Numri më i madh i reformave do të raportoheshin të kryera deri në fund të qershorit, në qoftë se krahas vullnetit të madh e të mirë, e punës serioze të qeverisë sonë, do të kishim edhe një opozitë parlamentare serioze që merr përgjegjësinë, e cila i takon në Kuvend. Ne jemi në një situatë, ku e kemi një opozitë, e cila zgjedh për të mos ardhur në Kuvend, edhe kur vjen shikon cilat ligje t’i bllokojë. Kjo është vërtet sfidë për ne si qeveri dhe është humbje e kohës dhe e mjeteve për ne si shtet. Pikërisht, për këtë shkak që nuk kemi Kuvend, e kemi zgjedhje, një numër i konsiderueshëm reformash nga Plani i rritjes nuk do të arrijë të përmbyllen me sukses brenda afatit të paraparë e të paralajmëruar. Konkretisht, kemi 10 reforma që skadojnë më 30 qershor, nëntë prej të cilave tashmë janë të rrezikuara duke shkaktuar humbje të miliona eurove. Bëhet fjalë për 12 projektligje, për hartimin e të cilave ministritë përkatëse kanë bërë punë të jashtëzakonshme, duke i përafruar ato me ligjet në Bashkimin Evropian dhe me standardet evropiane”, tha ai.
Kryeministri në detyrë në këtë takim deklaroi se opozita donte zgjedhje me çdo kusht dhe ky veprim po ngadalëson procesin e integrimit të Kosovës në BE.
“Sikur Kuvendi ta kryente punën për çfarë i kanë votuar deputetët qytetarët e Republikës, asnjë hap nuk do të humbej….Zgjedhjet ishin të panevojshme, sepse ofruam zgjidhje të shumta sot do të kishim një president të propozuar nga opozita. Nuk deshën, pasi qartazi donin zgjedhje me çdo kusht. Ky veprim i papërgjegjshëm po na kushton jo vetëm me humbje të miliona eurove nga Bashkimi Evropian, por edhe me humbje të kohës e ngadalësim të procesit të integrimit. Reformat nga Plani i Rritjes janë për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, por fatkeqësisht bllokada me të cilën po ballafaqohemi ne është për ta ngadalësuar atë”, u shpreh Kurti.
Sipas tij, qytetarët janë ata që do të zhbllokojnë Kuvendin dhe përshpejtojnë reformat.
“Por, qytetarët si çdoherë do ta zhbllokojnë edhe Kuvendin e do t’i përshpejtojnë reformat. Ne po punojmë që çdo hap që mund të bëhet nga qeveria të kryhet. Pra, jemi në krye të detyrës. E çdo hap që kërkon miratim në Kuvend të jetë gati për seancën e radhës pas zgjedhjeve, ashtu që afati i dhjetorit të mos rezultojë me humbje të mëtutjeshme. Janë gjithsej 79 hapa të reformave që përfshijnë periudhën 2024-2026 me vlerë financiare prej mbi 579 milionë euro”, tha ai.
Kurti vazhdoi me akuza ndaj partive opozitare duke thënë se si pasojë e bllokimit të Ligjit kundër pastrimit të parasë është bllokuar edhe zbatimi i marrëveshjes SEPA.
Ai tregoi se përkundër bllokadave deri në fund të vitit 2025 si qeveri kanë zbatuar 6 reforma nga të lat Kosova ka përfituar 45.9 milionë euro. Ndërsa, deri në korrik pritej zbatimi edhe i reformave të tjera, të cilat do ta rrisin vlerën e mjeteve në 53.2. milionë euro./