Kurti: Opozita dhe Listën Serbe u bashkuan kundër nesh nga frika e fitores sonë

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar para Këshillit të Përgjithshëm të partisë se subjektet opozitare janë bashkuar kundër tij dhe LVV-së për shkak të frikës nga fitorja e tyre politike. Në fjalimin e mbajtur pasi u nominua për kryeministër, Kurti përmendi partitë opozitare shqiptare, por edhe Lista Srpska, duke…

Lajme

09/05/2026 11:49

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar para Këshillit të Përgjithshëm të partisë se subjektet opozitare janë bashkuar kundër tij dhe LVV-së për shkak të frikës nga fitorja e tyre politike.

Në fjalimin e mbajtur pasi u nominua për kryeministër, Kurti përmendi partitë opozitare shqiptare, por edhe Lista Srpska, duke i akuzuar se po veprojnë të bashkuara për interesa të ngushta politike dhe ekonomike, raporton lajmi.net

“Qëndrimet e tyre vijnë nga frika. Frika e tyre nga fitorja jonë është më e madhe se dashuria e tyre për vendin. Më të madhe e kanë frikën e urrejtjen ndaj nesh sesa atdhedashurinë për Republikën e Kosovës. Vetëm e vetëm pse nuk pranuam pazaret e oligarkëve, ndarjet e terminaleve doganore dhe postet e ambasadorëve. Ata u bashkuan të gjithë kundër nesh. PDK, LDK, AAK, Lista Srpska, jo për ta ndërtuar shtetin, por për ta kthyer atë në burim privat të pasurimit”, ka thënë Kurti.

Ai shtoi se përballë këtij, siç e quajti, “fronti të errësirës”, qëndron Vetëvendosje me vizion tjetër politik dhe qytetar.

“Përballë këtij fronti të errësirës, ne me dritën e Naimit apo edhe me dritën e Sokratit, i themi popullit s’ka kthim prapa, por ka vetëm ecje para. Kurti po e izolon Kosovën, unë u përgjigjem, Kosova kurrë nuk ka qenë më e pranishme dhe më e mirëpritur në kancelaritë e botës sesa tani. Jemi të izoluar nga korrupsioni, nga pazarllëqet e natës, nga krimi i organizuar”, tha Kurti./Lajmi.net/