Kurti: Nuk kam marrë letër nga askush për asnjë garancion lidhur me krerët e UÇK-së që janë në Speciale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk ka marrë letër nga askush për garancion për krerët e UÇK-së që janë në Gjykatën Speciale.

Lajme

07/05/2021 17:14

“Nuk kam marr letër nga askush për asnjë garancion lidhur me Gjykatën Speciale dhe luftëtarët e UÇK-së që janë atje”, tha Kurti në konferencë për media, transmeton lajmi.net.

“Problemi me çështjen e garancisë është që Kosova nuk është shtet i tretë. Në Gushtin e 2015, argumenti kryesor pse duhej të votohet amendamenti 24 e që ne e kundërshtuam, ka qenë që nëse nuk e bëjmë ne, do të bëhet gjykatë ndërkombëtare. Ne e kemi ditur që nuk ishte ashtu. Ne e kishim të qartë që kjo Gjykatë nuk do të ishte krejtësisht jashtë Kosovës, por një këmbë jashtë e një këmbë brenda. Prandaj jemi në këtë situatë te pafavorshme, kur Kosovës me vendimin e gushtit i pamundësohet. Nuk mund të kërkojë unë garanci nga Kroacia. Ka një proces juridik. Ata që janë në burg. Nuk është shteti në gjyq. S’më takon mua që të marr këso hapash. Do të ishte gabim për shtetin”, theksoi Kurti.

Ai po ashtu insistoi se nuk do të ngutet për dialog.

“Për shkak se jemi serioz për dialogun, nuk ngutemi. Kur ngutemi, rrëzohemi e pastaj vonohemi. Nuk ka nevoj të nxitohemi e të bëjmë gabime të reja e dështime pasi nuk e kemi komoditetin”, shtoi ai.

Kurti ka thënë se para se të nisë takimet me palën serbe në kuadër të dialogut, duhet të ketë dialog të brendshëm me partitë opozitare.

“Do të kemi një darkë pune me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, më 18 maj. Takimi më 11 maj s’mbahet sepse mbahen vetëm takimet kur pajtohemi të gjithë dhe e kemi lënë që takimi i tillë të mbahet dikur në muajin qershor”, vazhdoi ai.

“Ditë përpara asaj date do të njoftoheni. Temat e diskutimit mund të vijnë në shprehje vetëm kur të pajtohen dy palët. S’ka tema që janë të vetëm njërës palë. Kemi gjëra të tjera para se të arrijmë aty. E para është diskutimi i brendshëm me opozitë e edhe një lloj radiografie e gjendjes së dialogut në raport me Serbinë, përkitazi me procesin e deritashëm dhe marrëveshjet e arritura”, theksoi Kurti. /Lajmi.net/ 

Kurti shpalos programin qeverisës, thotë se do të përgatisin padi për gjenocid ndaj Serbisë në GJND