​Kurti nuk e shkarkon ministrin me vepër penale, Osmani e merr gjatë vizitës në Turqi

Ndonëse është ngritur aktakuzë ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, për veprat penale “Kanosje” dhe “Sulm” , ai vazhdon të mbajë postin e tij në Qeverinë e Kosovës. Përkundër faktit që ai së bashku me djalin e tij sulmoi dy persona, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e sheh të rrugës shkarkimin…

Lajme

12/04/2025 12:43

Ndonëse është ngritur aktakuzë ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, për veprat penale “Kanosje” dhe “Sulm” , ai vazhdon të mbajë postin e tij në Qeverinë e Kosovës.

Përkundër faktit që ai së bashku me djalin e tij sulmoi dy persona, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e sheh të rrugës shkarkimin nga detyra e ministrin Damka.

Dhuna ndja një vajze dhe vendimi i Gjykatës Themelore në Prizren, për masën e arrestit shtëpiak ndaj ministrit Damka, nuk i bërë përshtypje as presidentës Vjossa Osmani. Kjo pasi ministri në detyrë, dje ka shoqëruar presidenten Osmani gjatë vizitës në Turqi.

Në Ligjin për Qeverinë e Kosovës thuhet se mandati i anëtarit të qeverisë, ndër të tjera përfundon nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim dhe nëse me vendim gjyqësor të formës së prerë është shqiptuar dënimi plotësues për ndalimin e ushtrimit të funksionit në shërbimin publik dhe nëse shkarkohet nga kryeministri.

Ky i fundit, ka bazë ligjore për shkarkim sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, megjithatë, dyshohet se shkarkimi nuk po ndodh për shkak se Kurtit i duhet vota e komuniteteve për formimin e qeverisë së re.

Në Ligjin për Zyrtarët Publikë thuhet se përdorimi i dhunës fizike ose kërcënimi i personave ndalohet rreptësishtë në çdo rrethanë dhe vlerësohet si shkelje e rëndë e etikës profesionale dhe integritetit të detyrës publike.

Sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, zyrtari mund të përballet me masa si pezullim i përkohshëm nga puna, transferim në pozitë tjetër, ulje në pozitë dhe largim nga pozita.

Prokuroria Themelore në Prizren më 25 mars të këtij viti, ka ngritur aktakuzë kundër ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe të pandehurit F.D., të cilët ngarkohen për “Sulm” dhe “Kanosje”.

Sipas Prokurorisë, Damka ngarkohet se përdori forcë fizike ndaj të dëmtuarve A.M., dhe M.J., ditën e zgjedhjeve për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme që kishte me këtë të fundit.

Në këtë rast, avokati i palës së dëmtuar A.M, Gent Gjini kërkon nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti që të shkarkojë ministrin Fikrim Damka nga posti i tij ose ta pezullojë atë deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë.

Gjini në një prononcim për KosovaPress, thotë se me hyrjen e ligjeve të reja në fuqi dhe ndryshimin e kodit penal, personat zyrtar që kanë aktakuzë të ngritur, nuk kanë të drejtë të ushtrojnë funksionin e tyre dhe të marrin pjesë në mbledhjet e qeverisë./Lajmi.net/