Kurti nga Mitrovica: Ura e re mbi Ibër do të lidhë Zhabarin me Gushacin, synohet përfundimi i punimeve brenda këtij viti
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar sot Mitrovicën, ku nga afër ka përcjellë ecurinë e punimeve në projektin për ndërtimin e urës së re mbi lumin Ibër, e cila do të lidhë fshatrat Zhabar dhe Gushac. Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm infrastrukturor, i…
Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar sot Mitrovicën, ku nga afër ka përcjellë ecurinë e punimeve në projektin për ndërtimin e urës së re mbi lumin Ibër, e cila do të lidhë fshatrat Zhabar dhe Gushac.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm infrastrukturor, i cili, sipas tij, do të rrisë sigurinë, do të përmirësojë ndërlidhjen mes qytetarëve dhe do t’u mundësojë organeve të rendit qasje më të shpejtë dhe më efikase në të dyja anët e lumit.
“Në Mitrovicë pamë nga afër punimet në projektin për ndërtimin e urës së re mbi lumin Ibër që do të lidhë Zhabarin me Gushacin, e cila do të rrisë sigurinë dhe do t’u mundësojë organeve të rendit qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në të dyja anët”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, ura do të ketë ndikim edhe në zhvillimin ekonomik të kësaj pjese të vendit, duke krijuar kushte më të mira për lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e mallrave.
Nga të dhënat e publikuara, ura është projektuar me 65 metra gjatësi dhe 22.5 metra gjerësi, ndërsa do të përfshijë katër korsi qarkullimi, secila me gjerësi prej 3.5 metrash, si dhe trotuare prej 2.2 metrash në të dyja anët.
Projekti nuk përfshin vetëm ndërtimin e urës, por edhe infrastrukturën përcjellëse. Në kuadër të tij do të ndërtohen dy rreth-rrotullime dhe një segment rrugor me gjatësi prej 500 metrash, me qëllim të përmirësimit të qarkullimit dhe lidhjes së zonës me rrjetin ekzistues rrugor.
Po ashtu, është paraparë edhe rehabilitimi i shtratit të lumit Ibër në një gjatësi prej 525 metrash dhe gjerësi prej 47 metrash, projekt që synon mbrojtjen e mjedisit, rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e infrastrukturës përreth.
Kurti ka bërë të ditur se punimet janë duke u zhvilluar sipas planit dinamik dhe se, nëse ritmi aktual vazhdon, ura pritet të përfundojë brenda këtij viti, duke u vënë në shërbim të qytetarëve të kësaj zone. /Lajmi.net/