Kurti nesër në Bruksel, vizita lidhet me një mundësi të mirë për Kosovën

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, nesër do të pres për një drekë pune të gjithë liderët e gjashte vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me këtë takim, ajo do që të dëshmojë se edhe në mandatin e ri, do t’i kushtojë kujdes të veçantë këtij rajoni dhe në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së.…

Lajme

17/09/2024 18:04

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, nesër do të pres për një drekë pune të gjithë liderët e gjashte vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Me këtë takim, ajo do që të dëshmojë se edhe në mandatin e ri, do t’i kushtojë kujdes të veçantë këtij rajoni dhe në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së.

Megjithatë, qëllim kryesor i këtij takimi është diskutimi për “agjendat e reformave dhe rritjes”, të cilat gati të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE-ja në maj të këtij viti.

Von Der Leyen pritet qenë këtë drekë të presë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se Kurti do të jetë i pranishëm në organizimin e bërë nga Von Der Leyen.

Kryeministri Kurti pritet që të udhëtojë drejt Brukselit, por jo për dialogun Kosovë-Serbi, por për reformat e “Planit të Rritjes”.

Në agjendën e zyrtares evropiane është konfirmuar vetëm takimi, ndërsa nuk është bërë e ditur se kush do të përfaqësojë shtetet e ftuara në këtë drekë pune.

Po ashtu në drekën e shtruar nga Von Der Leyen i pranishëm do të jetë edhe Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Ky takim i cili do të zhvillohet në Bruksel thuhet se ka për qëllim që të shërbeje për të parë nga afër se ku kanë arritur vendet e Ballkanit Perëndimor sa i përket Planit të Rritjes.

Von der Leyen ka qenë personalisht e angazhuar në promovimin e këtij plani, ndërsa atë e ka mbështetur edhe Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare në Këshillin e BE-së. Sipas burimeve në BE, takimi i von der Leyenit me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë një rast i mirë për të parë se ku kanë arritur këto vende me përgatitjet e tyre për t’i realizuar qëllimet e këtij plani.

Secili vend është dashur ta përgatisë një agjendë reformash, të bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së. Këtë e kanë bërë tashmë pesë vende të rajonit, ndërsa Bosnje e Hercegovina është e vetmja, e cila, për shkaqe të brendshme politike, nuk e ka bërë ende.

Kosova, ndërkaq, ka qenë ndër vendet e para që e ka dorëzuar planin e saj në Komisionin Evropian. Pritjet në BE kanë qenë që, në mes të shtatorit, Komisioni Evropian t’i miratonte këto agjenda të vendeve të rajonit. Pritej që kjo të ndodhte edhe para takimit të 19 shtatorit, por procesi është shtyrë për muajin tetor.

Sipas një përllogaritjeje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë, Kosovës do t’i ndahen si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

Llogaritja për shumën financiare që do t’i takojë secilit vend, është bërë në bazë të Bruto Prodhimit Vendor (GDP), numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera. Por, gjatë prezantimit të këtij plani, vendeve të rajonit u është thënë qartë se nëse nuk i kryejnë reformat pas një apo dy vjetësh, atëherë shuma do t’u shpërndahet vendeve tjera.

Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e këtij rajoni në periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027.  Prej kësaj shume, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme.

Qëllimi është që të ndihmohet rritja ekonomike dhe, në këtë mënyrë, të përshpejtohet edhe procesi i integrimit evropian të këtij rajoni. Përfituese të këtyre mjeteve janë të gjitha vendet e rajonit: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia.

Plani ka po ashtu qëllim të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e tregut të përbashkët në rajon, i cili gradualisht do të integrohej në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian. Ky plan, sipas zyrtarëve të BE-së, nuk e ka në asnjë mënyrë qëllim që të krijojë një alternativë të zgjerimit të BE-së, por ta bëjë anëtarësimin e këtyre vendeve në BE më të lehtë.

Duhet theksuar se sot Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, paraqiti përbërjen e re të Komisionit Evropian, e që do të ketë mandat pesëvjecar.

Postin e komisionares për zgjerim, ajo ka vendosur që t’ia besojë kandidates nga Sllovenia,. Marta Kos.

Por, ajo do të emërohet zyrtarisht vetëm nëse merr mbështetjen e Parlamentit të Sllovenisë dhe të Parlamentit Evropian.

Kos nuk është nominuar formalisht nga vendi i saj./Lajmi.net/