Kurti në Rugovë premton rindërtimin e rrugës Pejë-Kuqishtë: Ka filluar studimi i fizibilitetit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Alibn Kurti ka marrë pjesë në ceremoninë hapëse të Lojërave Tradicionale të Rugovës “Rugova 2025”, të cilat po mbahen në fshatin Bogë të Rugovës, të Komunës së Pejës. Aty, siç përcjell zyra e kryeministrit Kurti ka thënë se është një nder i veçantë për të që sot, në këto bjeshkë…

Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Alibn Kurti ka marrë pjesë në ceremoninë hapëse të Lojërave Tradicionale të Rugovës “Rugova 2025”, të cilat po mbahen në fshatin Bogë të Rugovës, të Komunës së Pejës.
Aty, siç përcjell zyra e kryeministrit Kurti ka thënë se është një nder i veçantë për të që sot, në këto bjeshkë të lashta që flasin me gurë e me borë, të jetë aty e në mesin e të pranishmëve për të festuar bashkë Lojërat Tradicionale të Rugovës.
“Në këto lojëra, ku shfaqet forca, shkathtësia dhe mençuria, po bashkohen pikërisht gjeneratat për të përcjellë jo vetëm vlerat e fisit të Kelmendit dhe të komunitetit të Rugovës, por edhe frymën e bashkësisë që e ka ruajtur këtë traditë për dekada. Në këto fusha e male, nuk garojnë vetëm individët, por ringjallen zakonet, legjendat dhe forca shpirtërore e maleve tona të larta. Ky manifestim është edhe një ftesë për ne si shtet dhe si shoqëri që të mos e shohim trashëgiminë vetëm si diçka që e ruajmë nëpër muzetë e shtetit, por si diçka që jetohet, që zhvillohet, që na bashkon. Lojërat si këto janë pasuri kombëtare që i japin shpirt të gjallë territorit dhe kuptim të thellë përkatësisë”, ka thënë Kurti.
Po ashtu, siç thuhet në komunikatë, Kurti ka njoftuar banorët e zonët dhe gjithë pjesëmarrësit për fillimin e studimit të fizibilitetit nga Qeveria e Kosovës, për rindërtimin e rrugës Pejë – Kuqishtë.
“Dua t’ju njoftoj që para dy ditëve, pardje e kemi filluar studimin e fizibilitetit për ta rindërtuar rrugën Pejë-Kuqishtë. Rindërtimi i rrugës Pejë-Kuqishtë varësisht nga studimi i fizibilitetit do të jetë në vlerë të gjithmbarshme diku prej 15 milionë euro, ndërkaq sanimi i kësaj rruge ka filluar para tre muajve dhe do të kushtojë rreth 1.7 milionë euro. Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi jo vetëm të gatshëm por edhe të interesuar që të investojmë për shkak të vlerës së madhe natyrore, kulturore, shpirtërore, kombëtare, shtetërore që ka Bjeshka e Rugovës, jo vetëm për banorët e kësaj ane”, ka thënë Kurti ndër tjerash.