Kurti në Paris flet se si “Kosova luftoi korrupsionin, e pati ngritje ekonomike” gjatë mandatit të tij

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në diskutimin e organizuar nga Instituti i mirënjohur francez, Jacques Delors. Kurti u mirëprit nga Drejtorja e Institutit, Sylvie Mattelly. Tema kryesore e diskutimit ishte situata gjeopolitike në Evropë dhe ndikimi i Ballkanit Perëndimor. Tema tjera të diskutimit ishin mbrojtja, të drejtat e njeriut, përfshirë ato…

Lajme

29/10/2025 11:01

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në diskutimin e organizuar nga Instituti i mirënjohur francez, Jacques Delors. Kurti u mirëprit nga Drejtorja e Institutit, Sylvie Mattelly.

Tema kryesore e diskutimit ishte situata gjeopolitike në Evropë dhe ndikimi i Ballkanit Perëndimor. Tema tjera të diskutimit ishin mbrojtja, të drejtat e njeriut, përfshirë ato të pakicave, si dhe zhvillimet e fundit në vend. I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe i Dërguari i Posaçëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz.

Kurti shprehu mirënjohjen e tij për ftesën e Institutit Jacques Delors për të qenë pjesë e këtij diskutimi. Në fjalën hyrëse të tij, ai theksoi se po jetojmë në një kohë kur Evropa është e begatë, dhe në të njëjtën kohë thellësisht e sfiduar, duke shtuar se aftësia jonë për të planifikuar në terme afatgjate vazhdimisht po vihet në hije nga realitete të menjëhershme gjeopolitike.

“Për dekada, jemi udhëhequr nga dëshira për homeostazë, por ky më nuk është realiteti ynë.Sistemet që lulëzojnë, qofshin ato institucione, organizata apo shoqëri, evoluojnë përmes cikleve të rendit, çrregullimit dhe rirregullimit, dhe për Evropën, ky ekuilibër i ri kërkon një qëndrim të qartë kundër autoritarizmit dhe përfshirje e qartë e atyre vendeve që mbështesin demokracinë”, u shpreh ai.

Duke folur për Kosovën, zhvillimet aktuale dhe progresin e viteve të fundit, Kurti theksoi se që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 me mbështetjen ndërkombëtare, vendi ynë ka zhvilluar institucione të forta demokratike, ndërkaq gjatë këtij mandati qeveritar, Kosova ka luftuar korrupsionin dhe ka shënuar rritje të qëndrueshme ekonomike.

Ai veçoi lajmet se në muajin korrik të këtij viti, Fondi Ndërkombëtar Monetar dhe Banka Botërore hoqën zyrtarisht Kosovën nga lista e vendeve të brishta dhe të prekura nga konflikti duke u bazuar në përparimin institucional dhe ekonomik të vendit siç reflektohen edhe në rënien e ndjeshme të papunësisë nga afër 26% në më pak se 11%.

Më tej, Kurti u shpreh se vendi ka prezantuar dhe zbatuar politika progresive sociale që përmirësojnë jetesën dhe mirëqenien e qytetarëve; nga bërja e arsimit të lartë publik falas dhe ndarja e shtesave për lehona e fëmijë, te skemat e punësimit të të rinjve dhe pensione më të larta, teksa Kosova po përgatitet që të mirëpres Lojërat Mesdhetare 2030 në kuadër të së cilave po bëhen e do të bëhen investimet më të mëdha në infrastrukturën sportive. Sa i përket kësaj të fundit, kryeministri falënderoi Agjencinë franceze për Zhvillim (AFD) dhe përfaqësuesit e saj që ishin aty të pranishëm për mbështetjen dhe bashkëpunimin me institucionet e vendit tonë.

Gjatë diskutimit, u trajtua edhe tema e sigurisë dhe mbrojtjes, me ç’rast Kurti nënvizoi vëmendjen që qeveria që ai drejton i ka dhënë mbrojtjes përmes rritjes së buxhetit dhe ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkëpunimin me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke theksuar se mbrojtja e demokracisë është e pandashme dhe e pandalshme./Lajmi.net/