Kurti në Çikatovë të Vjetër të Drenicës: Të hapen arkivat e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave

Në 25 vjetorin e masakrës në Çikatovë të Vjetër të Drenicës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 25 civilët shqiptarë të paarmatosur të vrarë nga forcat e armatosura të Serbisë më 17 prill 1999. Pasi mbajti një minutë heshtje në nderim të të vrarëve, Kryeministri Kurti  tha se kujtesa e sakrificës së madhe…

Lajme

17/04/2024 20:22

Në 25 vjetorin e masakrës në Çikatovë të Vjetër të Drenicës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 25 civilët shqiptarë të paarmatosur të vrarë nga forcat e armatosura të Serbisë më 17 prill 1999.

Pasi mbajti një minutë heshtje në nderim të të vrarëve, Kryeministri Kurti  tha se kujtesa e sakrificës së madhe për liri është e përjetshme.

Ai bëri homazhe te varrezat e viktimave të masakrës së Çikatovës, trupat e të cilëve, forcat serbe në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimeve, i morën dhe i dërguan në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi.

Kryeministri Kurti ritheksoi kërkesën për hapje të arkivave të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, përgjegjëse kryesore për fshehjen e trupave në varrezën masive në Rudnicë, si dhe për shumë masakra në rajonin e Drenicës e për fatin e shumë personave të zhdukur pas masakrave të kryera në këto fshatra.

Në këto homazhe Kryeministri Kurti, ishte i shoqëruar edhe nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.