Kurti ndryshon narrativën: Nga “Kosova shtet i dobët” te “rast unik i shtetndërtimit”

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot është krenuar me procesin e shtetndertimit të Kosovës në këto 25 vite. Duke harruar se çka ka deklaruar kur ishte në opozitë, ai sot ka thënë se Republika e Kosovës paraqet rast unik të shtetndërtimit. Në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike – “KosovaPAR 2025”, Kurti…

Lajme

04/09/2025 18:41

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot është krenuar me procesin e shtetndertimit të Kosovës në këto 25 vite. Duke harruar se çka ka deklaruar kur ishte në opozitë, ai sot ka thënë se Republika e Kosovës paraqet rast unik të shtetndërtimit.

Në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike – “KosovaPAR 2025”, Kurti ka theksuar se një proces i tillë është vlerësuar si shumë i suksesshëm edhe nga organizatat ndërkombëtare.

Kosova në këtë sens është bukur shumë një rast sui generis për vet faktin që ndërtimi i institucioneve të pas luftës, pas vitit 1999 është bërë nga një mision i udhëhequr nga Kombet e Bashkuara, bashkërisht me Bashkimin Evropian dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Gjatë këtyre 25 viteve, në Kosovë ka ndodhur një proces i shtetndërtimi, pra i veçantë, i pashembullt ndokund tjetër apo ndonjëherë tjetër”, ka deklaruar ai.

Ai ka përmendur organizatat e huaja që e kanë vlerësuar Kosovën historike suksesi.

Raportet e fundit të organizatave si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, SIGMA, organizata Gallup, Transparency International, World Justice Project e të tjera dëshmojnë se Kosova është rast suksesi i shtetndërtimit pas një lufte të tmerrshme. Gjatë këtyre katër viteve të fundit, Qeveria që udhëheq unë ka ndërmarr reforma të thella në të gjithë sektorët në mënyrë që ndryshimet pozitive të jenë edhe të qëndrueshme në kohë për të ardhmen, por edhe të pakthyeshme, pra që të pamundësojmë hapat prapa.”, është shprehur Kurti.

Kjo nuk është hera e parë që i pari i VV-së i ka rënë pishman për atë që ka thënë sa ishte në opozitë.

Me ardhjen në pushtet, Kurti ka filluar ndryshimin e narracionit të tij për procesin e shtetndertimit.

Edhe vitin e kaluar, në një intervistë për A2CNN, Kurti kishte thënë se për këto 25 vite ndryshimet në Kosovë ishin gjigante.

Të gjithë ata të huaj të cilët po vinë këto ditë për të shënuar bashkë me neve çlirimin e Kosovës, përkatësisht 25 vjetorin, nëse nuk kanë ardhur më herët nuk po mund ta njohin më vendin tonë. Sepse ndryshimet janë gjigande, përparimi është enorm në çdo aspekt. Kjo na bën njëkohësisht krenar, por edhe një çik të pikëlluar, një cikë me dhimbje, për ata të cilët nuk janë më e që paguan çmimin më të lartë për lirinë, 10 mijë civil të vrarë, 20 mijë të dhunuar gra, ende i kemi afro 1 mijë e 600 të pagjetur, dhe ajo ishte koha ku 120 mijë shtëpi të shqiptarëve ishin të djegura”, ishte shprehur Kurti.

Si e mohonte Kurti progresin në Kosovë?

Krejt ndryshe shprehej Albin Kurti sa ishte në opozitë dhe në vitet e para të tij si kryeministër i Kosovës.

Ai vazhdimisht kritikonte qeveritë e kaluara se nuk kanë bërë asgjë për zhvillimin e Kosovës.

Një gjë të tillë e kishte thënë edhe më 9 qershor të vitit 2019.

Në 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, në profilin e tij në “Facebook”, ai kishte shkruar se për 20 vite Kosova kishte ngelur një shtet i dobët.

Sipas tij, për 20 vite populli i Kosovës kishte mbetur “nën sundimin e një dyzine mujsharësh e tajkunësh”, transmeton nacionale.

Një dekadë pas suprimimit të autonomisë, Kosova u çlirua. E, dyfish më shumë se kaq që prej çlirimit, Kosova ngelet shtet i dobët, pa drejtësi minimale e me papunësi maksimale. Edhe dy vjet nuk janë pak, kurse 20 vjet janë tejet shumë për një popull të mbetur nën sundimin e një dyzine mujsharësh e tajkunësh”, kishte shkruar Kurti.

Derisa mohonte progresin e pasluftës në të gjitha fushat, Kurti lavdëronte kohën kur Kosova ishte pjesë e ish-Jugosllavisë.

Në mars të vitit të kaluar, derisa shkruante për vdekjen e Nazmi Mikullovci, ish-drejtorin e “Trepçës”, Kurti kishte thënë se ato kanë qenë vite të “shkëlqyera të industrializimit të vendit”.

Nazmi Mikullovci është përfaqësuesi i një gjenerate të jashtëzakonshme profesionistësh që projektuan dhe realizuan në masë të gjerë vetëqëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës. Kushdo e njeh atë si Drejtorin e Trepçës në vitet e shkëlqyera të industrializimit të vendit. Ndërsa shumë nga ne si orientuesin e përpiktë se si të optimalizohen mundësitë vendore në industri dhe ekonomi. Për mua ka qenë më shumë se sa një bashkëpunëtor në më shumë se sa një dekadë. Nazmi Mikullovci është mentori i dijes mbi Kosovën dhe ekonominë e saj”, kishte shkruar Kurti.

Nuk është vetëm Albin Kurti që mohonte çdo progres në periudhën e pasluftës.

Të njëjtin gjë e kanë shprehur edhe shumica e mbështetësve të tij.