Kurti natën para zgjedhjeve qëndroi në Mitrovicë te pompa e biznesmenëve të lavdëruar prej tij – dyshohen për ndërtim objekti policor pa kontratë prej 753 mijë €

Një natë para zgjedhjeve lokale, kryeministri në detyrë Albin Kurti me vartësin e tij Faton Pecin dhe deputetin Armend Muja, qëndruan deri pas mesnate në një lokal të ndërtuar brenda një pompe karburanti në Zhabar të Mitrovicës. Kjo pompë i përket kompanisë “FINN OIL”, e cila vetëm pak muaj më herët dyshohet se mori pjesë…

Lajme

14/10/2025 14:01

Një natë para zgjedhjeve lokale, kryeministri në detyrë Albin Kurti me vartësin e tij Faton Pecin dhe deputetin Armend Muja, qëndruan deri pas mesnate në një lokal të ndërtuar brenda një pompe karburanti në Zhabar të Mitrovicës.

Kjo pompë i përket kompanisë “FINN OIL”, e cila vetëm pak muaj më herët dyshohet se mori pjesë në ndërtimin e një objekti policor në veri të vendit, projekt për të cilin nuk ekziston asnjë kontratë e publikuar në sistemin e prokurimit publik. Hetimi i Demokracia.com tregon se bëhet fjalë për ndërtimin e nënstacionit policor në fshatin Izvor të Zveçanit, një projekt që u përurua nga vetë Kurti dhe që u paraqit si investim shtetëror prej 753 mijë eurosh.

Por, kontrata për këtë objekt mungon plotësisht në E-prokurim, duke ngritur dyshime serioze për një marrëveshje të mbyllur “top sekret” dhe për favorizim të një biznesi të afërt me pushtetin, në të cilin zyrtarët e lartë të Vetëvendosjes ishin mysafirë vetëm disa orë para zgjedhjeve.

Një natë para zgjedhjeve lokale, kryeministri Albin Kurti së bashku me kandidatin e tij për kryetar të Mitrovicës, Faton Pecin, si dhe me deputetin Armend Muja, qëndruan për disa orë në Shipol e Zhabar të Mitrovicës së Jugut, ku dyshohet se u bënë dallaveret më të mëdha me shitblerje votash dhe votim sipas metodës manipulative së ashtuquajtur “treni bullgar”.

Bazuar në fotografitë që posedon Demokracia.com, ata janë parë duke qëndruar pas mesnatës, rreth orës 01:00, në restorantin e pompës së derivateve “FINN OIL PETROL SH.P.K”.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), pronarë të kësaj kompanie janë Burim Dibrani dhe Kujtim Seferi, ky i fundit edhe drejtor-menaxher, i njohur ndryshe si Kujtim Zhabari. Kompania është regjistruar më 4 shtator 2023.

Vetë Lëvizja Vetëvendosje e kishte promovuar publikisht këtë biznes si shembull të “investimeve të mërgimtarëve”, duke shpërndarë në rrjetet sociale një video nga vizita në pikën e karburanteve “Finn Oil”. Në përshkrimin e videos thuhej:

Mërgimtari Burim Dibrani është kthyer në Kosovë për të investuar në atdhe. Përveç ndërtimtarisë, ai ka hapur edhe pikën e karburantit ‘FINN Oil’ në Zhabar të Mitrovicës. Në këto biznese janë të punësuar mbi 100 punëtorë. Duke parë sovranitetin e shtrirë dhe sigurinë e krijuar nga qeverisja jonë edhe në veri të Mitrovicës, Burimi po planifikon të investojë edhe në atë pjesë të vendit”.

Në qershor 2025, Zyra e Kryeministrit publikoi njoftimin për përfundimin e objektit “Ndërtimi i nënstacionit policor në fshatin Izvor, Komuna e Zveçanit”.

Sipas komunikatës zyrtare, projekti kishte vlerën prej 753 mijë euro dhe sipërfaqe 3,980 m², ku do të shërbente Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit, përgjegjëse për sigurinë kufitare dhe parandalimin e aktiviteteve ilegale.

Në komunikatë citohej kryeministri Kurti të ketë thënë se “Zyrtarët policorë tani do të kenë kushte të dinjitetshme pune, ndërsa performanca e tyre do të jetë e lartë në parandalimin e kontrabandës dhe veprimtarive ilegale”.

Por, kërkimi i Demokracia.com në platformën E-prokurim tregon se nuk ekziston asnjë procedurë e hapur apo e negociuar që lidhet me ndërtimin e këtij nënstacioni në Izvor.

Në sistem figuron vetëm një procedurë për ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok, por jo në Izvor.

Për këtë arsye, Demokracia.com ka kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës, e cila deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Burime nga terreni dhe dokumente të siguruara tregojnë se në ndërtimin e këtij objekti mund të jenë përfshirë pronarët e kompanisë “FINN OIL”, në të cilën Kurti dhe Peci qëndruan për orë të tëra në prag të zgjedhjeve.

Madje, njëri nga pronarët, Kujtim Seferi (Zhabari), shihet i pranishëm si në vendosjen e gurthemelit të objektit, ashtu edhe në përurimin e tij, përkrah kryeministrit Kurti.

 

Ortaku i Kujtimit, Burim Dibrani, i cili ishte i pranishëm në ndejën e mesnatës me Kurtin dhe Pecin është pronar edhe i kompanisë “Finn Project” Sh.P.K., të regjistruar në ARBK në vitin 2020, e cila merret me ndërtimin e banesave, kryesisht në Vushtrri.

Këto fakte ngrejnë dyshime se biznesi i afërt me Vetëvendosjen mund të jetë favorizuar për ndërtimin e objektit me një kontratë të mbyllur, e cila nuk është publikuar dhe trajtohet si “top sekret”.

Gazetarë që raportojnë nga Mitrovica kanë ngritur dyshime se qëndrimi i Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë të Vetëvendosjes atë natë mund të ketë ndikuar edhe në rezultatin e zgjedhjeve të 12 tetorit në Mitrovicë.

Gazetari Shkumbin Kajtazi, kryeredaktor i mediumit “Jepi Zë”, ka shkruar në Facebook se “Exit Poll-i i UBO-s është i saktë. Ka dyshime se, përveç blerjes së votave, në Mitrovicë janë vjedhur edhe shumë vota. Në Shipol ka nisur hetimi i një skeme ultra-kriminale, që dyshohet se ka ndikuar në ndryshimin e rezultatit. Policia ka dëshmitarë, dhe kamerat e pikave 01 dhe 05 pritet ta zbardhin skemën”.

Edhe gazetari tjetër nga Mitrovica, Gazmend Morina, pronari i mediumit “Veriu Info”, ka pohuar se rezultati në Shipol është i dyshimtë dhe se ai vetë kishte kërkuar qasje nga Policia e Kosovës në kontratën për ndërtimin e nënstacionit në Izvor, por pa marrë përgjigje. Ai thekson gjithashtu se pronari i të njëjtit lokal ku qëndroi Kurti shfaqet në përurimin e objektit policor bashkë me Kurtin.