Kurti: Mos u dezinformoni nga ndonjë medie në Kosovë që me vetëdije u shërben mediave të Beogradit
Derisa situata në veri të Kosovës është mjaft shqetësuese, në Kosovë pati media të cilat publikuan lajme të pakonfirmuara në të cilat thuhej se ka policë e qytetarë të plagosur në veri. Kjo gjë u demantua nga Policia e Kosovës, nga ku u tha se nuk ka të plagosur nga zhvillimet e fundit në veri…

Lajme
Derisa situata në veri të Kosovës është mjaft shqetësuese, në Kosovë pati media të cilat publikuan lajme të pakonfirmuara në të cilat thuhej se ka policë e qytetarë të plagosur në veri.
Kjo gjë u demantua nga Policia e Kosovës, nga ku u tha se nuk ka të plagosur nga zhvillimet e fundit në veri të vendit.
E lidhur me këtë është deklaruar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Kurti tha se organet e shtetit dhe sigurisë po mbledhin informacione, po mbikëqyrin gjendjen e do të veprojnë, në mbrojtje të ligjit , qytetarëve e sovraniteti.
“Përcjellni me vëmendje njoftimet nga qeveria jonë, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, dhe, mos lejoni të dezinformoheni nga mediet e Beogradit zyrtar apo edhe ndonjë medie në Kosovë që me vetëdije u shërben atyre apo pa vetëdije bie pre e tyre”, tha Kurti.
Kurti po ashtu tha se në orët,ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike.
“Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit. Ju falemnderit për mbështetjen.”përfundoi ai.
Se a posedon Qeveria e Kosovës informacione konkrete nëse ndonjë prej mediave në Kosovë u shërben atyre serbe nuk dihet, por kjo nuk është hera e parë që nga Vetëvendosje flasin lidhur me këtë çështje./Lajmi.net/