Kurti mirëpret Sekretarin e Shtetit gjerman të Nordrain Westfalias, flasin për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë

Kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur Sekretarin e Shtetit gjerman të Nordrain Westfalias për Çështje Federale dhe Evropiane, Ndërkombëtare dhe Media, Dr. Mark Speich.  Krahas urimit për mirëseardhje në Kosovë dhe në Prishtinë,kryeministri Kurti, që në fillim të takimit shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës në zhvillim, demokratizim, dhe siguri.…

Lajme

11/09/2024 19:26

Kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur Sekretarin e Shtetit gjerman të Nordrain Westfalias për Çështje Federale dhe Evropiane, Ndërkombëtare dhe Media, Dr. Mark Speich.

 Krahas urimit për mirëseardhje në Kosovë dhe në Prishtinë,kryeministri Kurti, që në fillim të takimit shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës në zhvillim, demokratizim, dhe siguri.

 Kurti dhe Speich diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë si dhe shtetit të Nordrain Westfalias, mbështetjen në procesin e integrimit evropian, mundësitë për shtim të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik dhe tregtar përmes organizimit të forumeve biznesore dhe vizitave të ndërsjella, dhe rolin e rëndësishëm të mërgatës sonë të mirë integruar në krijimin e urave dhe shkëmbimin e përvojave dhe dijes.

 “Kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Speich me progresin në vend dhe rezultatet e qeverisjes së deritanishme, të përshkuar me rritje ekonomike, stabilitet institucional dhe përparim demokratik.  Ai shtoi se përveç mërgatës në Gjermani që mund të shërbejë si urë e bashkëpunimeve dhe përfitimeve të dyanshme, në Kosovë tashmë po zbatohen programe të ndryshme të arsimit dual, frymëzuar nga vendet gjermano-folëse, që gjithashtu do të shërbejnë si ure lidhëse e arsimit me ekonominë dhe përgatitjes së fuqisë punëtore me kërkesat e tregut të punës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq duke iu referuar pranisë së madhe të mërgatës sonë në Gjermani, përkatësisht në shtetin e Nordrain Westfalias, kryeministri nënvizoi se Unioni i Bizneseve i krijuar 10 vjet më parë, me seli në Dusseldorf paraqet një potencial të madh ekonomik dhe njerëzor që mund të fuqizohet edhe më tej përmes bashkëpunimit bilateral. /Lajmi.net/