Kurti merr pjesë në përurimin e rrugës “Adem Demaçi” në Çair, mbetet të shihet nëse do t’u përgjigjet gazetarëve atje

Me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, kryeministri i vendit, Albin Kurti, po qëndron në një vizitë në Maqedoni të Veriut. Gjatë qëndrimit në Komunën e Çairit, Kurti mori pjesë në ceremoninë e emërtimit të rrugës me emrin “Adem Demaçi”. Sipas një njoftimi të…

Lajme

11/08/2023 16:40

Me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, kryeministri i vendit, Albin Kurti, po qëndron në një vizitë në Maqedoni të Veriut.

Gjatë qëndrimit në Komunën e Çairit, Kurti mori pjesë në ceremoninë e emërtimit të rrugës me emrin “Adem Demaçi”.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, ai e cilësoi këtë ngjarje si shenjim i një kohe me një emër: “kohës së shtypjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi e cila mes shqiptarëve e prodhoi një njeri simbol të lirisë: Bacin Adem Demaçi”.

Gjatë deklarimit të tij, kryeministri Kurti rikujtoi se si “Demaçi, veprat e të cilit i kushtuan plot 28 vite të kaluara nëpër burgje, frikësoi dy liderët diktatorë, Josip Broz – Tito i ish-Jugosllavisë dhe Nikita Krushqev i ish-Bashkimit Sovjetik, të cilët ishin kujdesur që para vizitës së tyre në Shkup, 60 vite më parë, ta burgosnin Adem Demaçin”.

“Shtypësit dhe mohuesit e lirisë, nuk mund të parakalonin lirshëm në një vend ku liria kishte për sinonim edhe një emër të përveçëm njeriu, emrin e Adem Demaçit. 60 vite më pas, në Maqedoni ka ende rrugë dhe shkolla me emrin “Josip Broz – Tito”, andaj emërtimi i një rruge me emrin “Adem Demaçi” është edhe një akt këmbënguljeje në përpjekjen e pafundme të një populli për liri”, u shpreh ai.

Kësisoj, duke e emërtuar këtë rrugë në Çair me emrin “Adem Demaçi”, kryeministri tha se po shënjohet një triumf i lirisë “në kuptimet e saj më të kulluara politike, historike dhe njerëzore”.

Në këtë përurim ishin të pranishëm edhe mbesa e veprimtarit Adem Demaçit, Fitore Shahini, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, Zëvendës-shefi i Misionit të Kosovës në Maqedoni të Veriut, Prindon Sadriu, deputetë e ish-deputet të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut e qytetarë shqiptarë të Çairit dhe të gjithë Shkupit.

Sipas agjendës, Kryeministri Kurti pritet të arrijë në Komunën e Tetovës për të realizuar aktivitetet dhe takimet e parapara në kuadër të kësaj vizite e cila përfundon me manifestimin mirëseardhës në sheshin “Iliria” të Tetovës.