Kurti me video në serbisht për komunitetin serb: Aty ku ka fitim ka edhe bashkëpunim – identiteti nuk përcaktohet nga një parti apo lider politik
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim drejtuar komunitetit serb në vend, duke garantuar të drejtat dhe liritë e tyre, si dhe duke theksuar përkushtimin për një shoqëri të barabartë dhe demokratike për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie. “Shteti ynë me Kushtetutë ua garanton të drejtat dhe lirinë…

Lajme
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim drejtuar komunitetit serb në vend, duke garantuar të drejtat dhe liritë e tyre, si dhe duke theksuar përkushtimin për një shoqëri të barabartë dhe demokratike për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie.
“Shteti ynë me Kushtetutë ua garanton të drejtat dhe lirinë të gjithëve dhe dëshiron bashkëpunimin sa më të mirë për realizimin e tyre,” deklaroi Kurti.
Ai shtoi se Kosova është një republikë demokratike dhe multietnike, ku dallimet nuk duhen parë si burim tensioni, por si pasuri që duhet vlerësuar e ndarë bashkërisht.
Kryeministri vlerësoi se, pavarësisht propagandës që shpesh vjen nga Beogradi, në Kosovë nuk ka jotolerancë ndëretnike, por ekziston bashkëpunim, sidomos në ekonomi.
“Natyrisht, aty ku ka fitim ka edhe bashkëpunim, por ky bashkëpunim duhet të jetë ligjor dhe i rregullt,” u shpreh ai, duke pranuar se ekziston një barrierë gjuhësore që duhet adresuar.
Duke kritikuar monopolin politik të Listës Serbe mbi komunitetin serb, Kurti theksoi: “Unë nuk mund ta pranoj që një parti politike të marrë monopolin e serbëve të Kosovës. Identiteti nuk përcaktohet nga një parti apo lider politik.” Ai u angazhua për një qasje demokratike e gjithëpërfshirëse, duke thënë se është kundër çdo forme të nacionalizmit autoritar.
Kurti përmendi edhe mbështetjen e Qeverisë për komunitetet joshumicë përmes ministrit Nenad Rashiq, duke renditur miliona euro të investuara në shtëpi, projekte sociale, ndërmarrje të vogla, OJQ, kulturë dhe shëndetësi. “Për këto dy vjet e gjysmë janë investuar mbi 14 milionë euro për komunitetet joshumicë,” theksoi ai.
Në fund, Kurti u bëri thirrje qytetarëve të komunitetit serb të mos bien pre e propagandës nga Beogradi. “Ju lus mos t’u besoni britmave luftënxitëse të zyrtarëve të lartë të Beogradit për gjoja sulme apo pogrom që po përgatit Qeveria e Kosovës kundër jush. Beogradi zyrtar zyrtarisht gënjen,” tha ai.
Kryeministri premtoi se Kosova do t’i mbrojë të gjithë qytetarët e saj dhe se paqja e siguria janë prioriteti kryesor i institucioneve.