Kurti: Me SHBA dhe BE mund të kemi dallime në qasje por jo në qëllime

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian nganjëherë mund të kenë ndonjë dallim në qasje apo ndonjë dallim në elemente taktike të operacioneve që zhvillohen por për sa i përket vlerave, qëllimeve, interesave, bindjeve, vizioneve, nuk kanë asnjë dallim. Kurti ka deklaruar se…

Lajme

04/06/2023 22:32

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian nganjëherë mund të kenë ndonjë dallim në qasje apo ndonjë dallim në elemente taktike të operacioneve që zhvillohen por për sa i përket vlerave, qëllimeve, interesave, bindjeve, vizioneve, nuk kanë asnjë dallim.

Kurti ka deklaruar se në trazirat e dhunshme në tri komunat në veri të vendit, janë tri kategori të qytetarëve, sic është mbrojtja civile e ku hyjnë edhe policët nga Serbia, elementët e xhandarmerisë të Rusisë, që janë adhurues të Rusisë e kështu me radhë.

Sipas tij, në kategorinë tjetër janë punëtorët e administratës publike që e kanë të detyruar të dalin në të ashtuquajturat protesta sepse përndryshe humbin vendin e punës dhe kategoria e punëtorëve në kompanitë private të disa prej kontrabandistëve, kriminelëve kryesorë si Milan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviq, të cilët detyrohen të shkojnë në sheshin para komunës e të jenë të dhunshëm, ndërkaq te vend i tyre i punës në kompani private të këtyre kriminelëve multimilionerë iu shkruan se kanë marrë ditë pushimi.

“Këto trazira po i bëjnë sepse po e shohin që Kosova është shtet, që Kosova ka polici profesionale që ne jemi vend demokratik që po zhvillohemi, ndërkaq ata e duan ndarjen e Kosovës, ata e duan copëtimin e Kosovës, ky është synimi i qartë i tyre, shkëmbimi territorial ka qenë emërtimi për ndarjen e Kosovës i cili do t’i joshte edhe disa shqiptarë që të hynin në të. Ata prej këtij projekti të dështuar nuk kanë hequr dorë në formën e një ideje. Por kjo ide, për të ardhur në shprehje mund të bëhet vetëm nëpërmjet dhunës. Dikur ka mundur të vijë në shprehje edhe nëpërmjet bisedimeve, për shkëmbim territorial dhe ndarje të Kosovës. Sot kjo ide mund të vijë në shprehje vetëm nëpërmjet dhunës dhe këtë ne jemi duke e parë dhe këtë duhet ta zmbrapsim dhe për këtë na nevojitet ndihma e partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar e kështu me radhë. Ne di t’ia dalim, do të jemi të suksesshëm dhe unë jam shumë optimist për këtë gjë, por duhet të jemi bashkë, të fortë, të palëkundshëm sepse situate nuk ka qenë kurrë më e qartë, sepse nuk nevojitet asgjë më shumë as më pak se sa sundimi i ligjit dhe kushtetutshmëria në diku 1/6 e territorit të Kosovës që është mbi lumin Ibër”, ka thënë Kurti në një intervistë për për The Geopost.

Kurse, sa i përket raporteve me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti ka thënë se sa i përket vlerave, qëllimeve, interesave, bindjeve, vizioneve ne nuk kemi absolutisht asnjë dallim.

“Unë jam në komunikim të vazhdueshëm me ambasadorët e KUINT-it në Kosovë dhe natyrisht që kur u njoh procesi zgjedhor të cilin e patëm shtyrë për katër muaj në katër komunat në vëri, kur u njoh rezultati, kur u njoh rezultati, kur u njoh betimi ne nuk kishim tjetër zgjidhje përveçse kryetarët të fillojnë punën në vendin e tyre. Nëse kryetarët do të fillonin punën nëpër shtëpi private ky do të ishte betonim i strukturave paralele ilegale. Ne nuk mund t’u bëjmë struktura paralele strukturave paralele. Pra, ishim në një situatë të vështirë, ku nuk kishim zgjidhje ideale, mirëpo megjithatë mendoj që kemi vepruar mirë dhe jemi shumë falënderues për gjithë ndihmën dhe mbështetjen që na e kanë dhënë dhe po na e japin. Nganjëherë mund të ketë ndonjë dallim në qasje, nganjëherë mund të ketë ndonjë dallim në elemente taktike le të themi të operacioneve që zhvillojmë dhe për sa i përket vlerave, qëllimeve, interesave, bindjeve, vizioneve ne nuk kemi absolutisht asnjë dallim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, tha ai.