Kurti: Marrëveshja nuk është “tryezë suedeze”, kërkesat të jenë brenda rendit ligjor
“Asociimi që imponohet prej lart është diktat” ka thënë kryeministri i vendit, Albin Kurti, derisa ka përsëritur se ai, si shef ekzekutivi, nuk mund të formojë asociacion të komunave. “I takon komunave ta bëjnë asociacionin”. Kurti, në një intervistë për televizion Alsat nga Maqedonia e Veriut, dhe të transmetuar në KosovaPress, ka theksuar edhe njëherë…
Lajme
“Asociimi që imponohet prej lart është diktat” ka thënë kryeministri i vendit, Albin Kurti, derisa ka përsëritur se ai, si shef ekzekutivi, nuk mund të formojë asociacion të komunave.
“I takon komunave ta bëjnë asociacionin”.
Kurti, në një intervistë për televizion Alsat nga Maqedonia e Veriut, dhe të transmetuar në KosovaPress, ka theksuar edhe njëherë nevojën për respektim të Marrëveshjes Bazike të arritur vitin e kaluar në Bruksel.
“Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës, dhe si kryetar i partisë politike më të madhe në vend e kuvend, i lëvizjes më të jashtëzakonshme që kanë shqiptarët në shekullin 21, mund të bëj asociacion të argumenteve në diskurs, ose asociacion të projekteve në program, por nuk mund të bëj asociacion të komunave në republikë, i takon komunave ta bëjnë asociacionin”, ka thënë Kurti, duke shtuar se asociimi që “imponohet prej lart është diktat e jo asociim”.
Ai ka thënë se Beogradi zyrtar duhet ta pranojë Kosovën dhe “çkado që kërkojnë për serbët në Kosovë duhet ta kërkojnë përbrenda rendin juridik dhe kushtetutës të Republikës së Kosovës”.
“Nuk është marrëveshja bazike një tryezë suedeze ku mund ta marrësh gjellën tënde të preferuar dhe t’i hedhësh të tjerat. Gjashtë fjali në preambulë, 11 nene në marrëveshje, plus aneksi i zbatimit nga Ohri i marsit të vitit të kaluar me 12 pika, pra duhet ta kemi pikënisje tërësinë, jo ndonjë pjesë duke mohuar tërësinë. Unë e kam diskutuar edhe në Bruksel këtë. Nuk mund të ofrojë unë kafe pa filxhan, cili është burimi legal juridik i asociacionit, a është Kushtetuta e Kosovës, apo diçka tjetër, Beogradi thotë nuk e pranoj Kushtetutën e Kosovës, atëherë pse jemi duke diskutuar. Nuk mund të thuash unë kam marrë sa kam marrë , dua të marr edhe më shumë por ti nuk ekziston. Ata duhet ta pranojnë Kosovën, çkado që kërkojnë për serbët në Kosovë duhet ta kërkojnë përbrenda rendin juridik dhe kushtetutës të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.
Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë në shkurt të vitit 2023 në Bruksel. Një muaj më vonë ishte arritur dakordim për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.
Kurti ka folur edhe për situatën e sigurisë në veri të Kosovës pas sulmit terrorist të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
“Shteti demokratik i Kosovës është instanca e parë dhe e fundit, dhe më e fuqishmja, ku asnjë individ, grup kriminal a strukturë paralele nuk mund të rivalizojë. Kjo e ka bërë shumë nervoz Beogradin dhe nga nervoza është gjithnjë e më agresiv”, ka thënë Kurti.
Sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit kishte ndodhur më 24 shtator të vitit të kaluar, nga një grup i serbëve të armatosur.
Aty kishte mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Përgjegjësinë për sulmin terrorist e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, parti kjo e cila ka mbështetjen