Kurti lajmërohet nga Greqia, tregon se po merr pjesë në simpoziumin – “Zemërimi i Akilit dhe paralajmërimi i Kasandrës”
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se po merr pjesë në edicionin e 28-të të Simpoziumit SYMI, i cili po mbahet në Greqi me temën “Achilles’ Wrath and Cassandra’s Warning – Empowering Democracy and Taming Power”. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti tha se në këtë forum ndërkombëtar po marrin pjesë…
Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se po merr pjesë në edicionin e 28-të të Simpoziumit SYMI, i cili po mbahet në Greqi me temën “Achilles’ Wrath and Cassandra’s Warning – Empowering Democracy and Taming Power”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti tha se në këtë forum ndërkombëtar po marrin pjesë diplomatë, akademikë, zyrtarë shtetërorë, drejtues organizatash ndërkombëtare dhe studiues, të cilët po diskutojnë mbi sfidat aktuale gjeopolitike, demokracinë, sigurinë, luftërat dhe ndikimin e inteligjencës artificiale.
Kurti njoftoi se ishte pjesë e panelit “Frontline Democracies – The Balkans, Ukraine and more”, ku foli për sfidat me të cilat përballen demokracitë në Ballkan dhe Ukrainë, si dhe për procesin e integrimit evropian.
Psotimi i plotë:
Edicioni i 28-të sivjet i Simpoziumit SYMI në Greqi po mbahet me temën “Achilles’ Wrath and Cassandra’s Warning – Empowering Democracy and Taming Power” (Zemërimi i Akilit dhe paralajmërimi i Kasandrës – Fuqizimi i demokracisë dhe zbutja e pushtetit).
Diplomatë të shquar e aktivistë progresistë, zyrtarë shtetesh e akademikë intelektualë, drejtues të organizatave ndërkombëtare e studiues të instituteve kërkimore, diskutojnë së bashku sipas modelit Chatham House Rule për tema të ndryshme të aktualitetit (gjeo)politik global, nga paqja e siguria teksa forcohet mulipolariteti dhe dobësohet multilateralizmi te sulmet e shtuara mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut, nga krizat e shumëfishta e luftërat e reja pa përfunduar të vjetrat te pritjet dhe efektet e inteligjencës artificiale.
Unë mora pjesë në panelin “Frontline democracies – The Balkans, Ukraine and more: What complacent older democracies must learn from societies still fighting, every day, for democratic European space.” (Demokracitë në vijën e parë të frontit – Ballkani, Ukraina dhe më shumë: Çfarë duhet të mësojnë demokracitë e vjetra të vetëkënaqura nga shoqëritë që ende luftojnë, çdo ditë, për hapësirë demokratike evropiane.) Përveç tjerash aty theksova që:
– Evropa fillon në shtëpi për secilin shtet dhe përfundon në vijat e frontit të luftës në Ukrainë, dhe se pikërisht zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Evropian dëshmon që periferia nuk është aty për t’u grabitur.
– Në zhvillimet botërore realisht nuk kemi përplasje të jashtme të civilizimeve por sot jetojmë në kohërat e përplasjeve të brendshme të ndërgjegjes me reaksionin.
– Autokratët duhen konsideruar si njerëz të lindur në shekullin e gabuar dhe se tendencat paramoderne për monarki merkantiliste nuk mund të triumfojnë mbi republikën demokratike./Lajmi.net/