Kurti: Kur po e shohin se nuk ka korrupsion në Qeveri, ka më shumë interesim për investime
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ka folur për qëllimet e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Lajme
Në fjalën e tij, Kurti ka përmendur zhvillimet ekonomike që kanë ndodhur së fundmi në Kosovë, duke përmendur këtu edhe rritjen e investimeve të huaja, me theks të veçantë investimet nga Gjermania.
“Kur po e shohin se nuk ka korrupsion në Qeveri, ka më shumë interesim për investime. Krahasuar me vitet paraprake, buxheti i Kosovës është rritur me 26 për qind. Janë rritur investimet nga Gjermania, ato pothuajse janë dyfishuar. Stabiliteti institucional, sundimi i ligjit dhe shpresa tek popullsia, ndikojnë në ekonomi. Ndryshe nga narrativa se ekonomia ec më mirë me autokraci, në fakt jo, ekonomia mund të zhvillohet edhe në demokraci. Ne e dimë se në Ballkan ka ende shërbime që drejtohen nga Kremlini. Kosova edhe pse nuk është në NATO, NATO është në Kosovë. Kosova ka të vetmin qëllim BE-në dhe do ta mbrojë këtë qëllim”, ka thënë Kurti, transmeton lajmi.net.
Në anën tjetër, kancelari gjerman Scholz në fjalën e tij ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e Gjermanisë në përkrahje të dialogut Kosovë-Serbi, duke theksuar edhe një herë rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën, i cili është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka lëvizje të lirë. /Lajmi.net/