Kurti kujton betejën e Koshares- UÇK-ja është themeli i lirisë sonë
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka kujtuar betejën e Koshares duke thënë se Beteja e Koshares ka qenë momenti i parë kur UÇK-ja ka thyer kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, kufi i cili ka qenë i vendosur dhunshëm, që në 1913 pasi që Serbia e kishte pushtoi Kosovën.

Lajme
“Sot kujtojmë me nderim e krenari Betejën e Koshares, e cila filloi në 9 prill 1999. Kjo betejë nisi kur Brigada 138 nën komandën e heroit Agim Ramadani sulmoi ushtrinë e regjimit jugosllav, duke hyrë në territorin e Kosovës, prej pjesës së Shqipërisë. Në atë betejë morën pjesë mijëra ushtarë, nga të gjitha trojet shqiptare, e mbi 100 prej të cilëve ranë dëshmorë duke dhanë jetën për lirinë e kombit. Beteja e Koshares është momenti i parë kur UÇK-ja e theu kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, kufi i cili ka qenë i vendosur dhunshëm, që në 1913 pasi që Serbia e kishte pushtoi Kosovën”, thuhet në postimin e Kurtit në Facebook.
Tutje lideri i VV-së ka thënë se forcat e UÇK-së sulmuan në kundërpërgjigje të terrorit dhe spastrimeve mizore që kishte nisur t’i bënte Serbia në Kosovë. “Çlirimtarët tanë heroikë u mbështetën edhe nga Ushtria e Shqipërisë, si edhe nga forcat e NATO-s. I përulemi me respekt të thellë kujtimit të lavdishëm të dëshmorëve e heronjve të Kombit që ranë në Koshare, por edhe veteranëve të kësaj beteje”, thuhet në postimin e Kurtit. Po ashtu, Kurti ka thënë se UÇK-ja është themeli i lirisë sonë. “Çdo hap shtetndërtues që e hedhim pa e kujtuar luftën çlirimtare, është hap i pasigurt” thuhet në postimin e tij.
Betejën e Koshares e kanë kujtuar edhe presidenti, Hashim Thaçi, kryeministri, Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli.