Kurti: Kosova nuk ka problem me serbët lokal, por me Beogradin që nuk u distancua kurrë nga Millosheviq dhe Putin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar sot në Samitin e Ballkanit Perëndimor 2024, të organizuar nga “Economist Impact” në Prishtinë. Ai foli për çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kurti përmendi shumë prej benefiteve që serbët e Kosovës i kanë të garantuara me Kushtetutë dhe ka thënë se Kosova dëshiron…

Lajme

11/06/2024 10:54

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar sot në Samitin e Ballkanit Perëndimor 2024, të organizuar nga “Economist Impact” në Prishtinë.

Ai foli për çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kurti përmendi shumë prej benefiteve që serbët e Kosovës i kanë të garantuara me Kushtetutë dhe ka thënë se Kosova dëshiron integrimin e serbëve.

Po ashtu Kurti tha se Republika e Kosovës s’ka probleme me serbët që jetojnë në Kosovë, por me politikën zyrtarë të Beogradit që nuk është distancuar asnjëherë nga Slobodan Millosheviq dhe Vladimir Putin.

I pari i Qeverisë së Kosovës tha se vendi ynë duhet të jetë Republikë Demokratike e qytetarëve dhe jo e ndarë mbi baza etnike.

“Kosova është republikë demokratike. Kemi të drejta për minoritetet shumë të avancuara. Ka dhjetë vende rezervë në parlament, gjuha serbe është gjuhë zyrtare. 10 nga 38 komuna janë me shumicë serbe. 17 % e anëtarëve të Kuvendeve komunale në gjithë Kosovën janë serbë. Bashkëpunojnë mirë. Kam ministrin Nenad Rashiq. Kam 3 zv.ministra. dhe duam integrimin e serbëve. Po shqiptarët janë pothuajse 93 % e popullsisë, por kemi edhe pakicat e tjera që duam t’i respektojmë. Duam të bashkëpunojmë mirë me të gjithë. Duam të krijojmë republikë demokratike në bazë të qytetarëve dhe jo në baza etnike.Nevojitet të bashkëpunoj rinia dhe biznesmenët”, ka thënë Kurti.

“Problemet që kemi s’kanë të bëjnë me serbët. Problemet i kemi me Beogradin që nuk është distancuar kurrë nga Millosheviqi dhe Putini”,shtoi ai.

Gjithashtu Kurti ka përmendur edhe legalizimin e patenshoferëve, targat dhe punën e cila po bëhet edhe për legalizimin e diplomave të lëshuara nga universiteti i Veriut të Kosovës.

“Po legalizojmë edhe patentë shoferët, e kemi bërë me targat, tani po I legalizojmë edhe diplomat. Të gjitha diplomat nga universiteti I veriut po verifikohen dhe po funksionalizohen për Republikën e Kosovës”, ka potencuar ai./Lajmi.net/