Kurti kërkoi që të hapet ura kryesore mbi lumin Ibër – Flasin nga KFOR-i: Vazhdojmë të zbatojmë mandatin tonë, bazuar në rezolutën 1244
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, është përgjigjur përmes një deklarate për Lajmi.net lidhur me pyetjet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke theksuar se kjo çështje është jashtë fushëveprimit të tyre. “Çështja që ngritët është jashtë mandatit të KFOR-it. Prandaj ju referojmë institucioneve përkatëse për çdo koment,”…

Lajme
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, është përgjigjur përmes një deklarate për Lajmi.net lidhur me pyetjet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke theksuar se kjo çështje është jashtë fushëveprimit të tyre.
“Çështja që ngritët është jashtë mandatit të KFOR-it. Prandaj ju referojmë institucioneve përkatëse për çdo koment,” thuhet në përgjigjen e misionit të udhëhequr nga NATO.
Megjithatë, KFOR nënvizon se vazhdon të ketë një prani të përhershme në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe patrullime të rregullta në zonat përreth, për të garantuar një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet.
“KFOR-i ruan një prani të qëndrueshme në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë. Po ashtu, KFOR-i ka një prani të dukshme dhe fleksibile në Mitrovicën e Veriut, si dhe në gjithë Kosovën, dhe është i gatshëm të reagojë ndaj çdo zhvillimi relevant të sigurisë në të mirë të të gjitha komuniteteve në Kosovë,” thuhet në deklaratë.
KFOR rithekson angazhimin e tij në zbatimin e mandatit të përcaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke vepruar gjithmonë në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes; në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, sipas roleve të tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë.”
Kujtojmë se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar publikisht nga KFOR-i që të bindet dhe të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër, e cila vazhdon të mbetet e mbyllur për qarkullim të lirë./lajmi.net/