​Kurti: Jemi në fazën përfundimtare të hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se janë në fazën e hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet dhe u shpreh se do të pasohet edhe me planin e menaxhimit të përmbytjeve. Në përballje me forcën e natyrës, shefi i ekzekutivit theksoi se infrastruktura e dorës së njeriut ka rol kyç. Në adresimin e…

Lajme

29/06/2023 11:25

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se janë në fazën e hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet dhe u shpreh se do të pasohet edhe me planin e menaxhimit të përmbytjeve.

Në përballje me forcën e natyrës, shefi i ekzekutivit theksoi se infrastruktura e dorës së njeriut ka rol kyç. Në adresimin e tij para fillimit të mbledhjes së qeverisë, Kurti tha se po lobojnë për të siguruar që Kosova të ketë qasje në fonde, meqë vlerësohet se i duhen investime prej më shumë se 1,3 miliardë euro në infrastrukturë.

Shefi i ekzekutivit ngushëlloi familjen Ademaj për vdekjen tragjike të nënës dhe djalit pesë-vjeçar nga Peja si shkak i përmbytjeve.

“Lajmi i kobshëm jehon edhe sot, dhimbja për ta është po aq e madhe sa edhe para pesë ditëve. Andaj, edhe një herë nga kjo sallë dhe në emër të të gjithë kabinetit qeveritar, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe miqve të Mirsada Hoxhiq Ademaj dhe djalit të saj pesëvjeçar, Dionit”, u shpreh Kurti.

Para kabinetit qeveritar, Kurti shtoi se vërshimet të shtunën në Pejë erdhën si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

“Vërshimet erdhën si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut. Atë ditë brenda vetëm diç më shumë se një ore, ranë gati 55 milimetra shi. Sasi kjo krejt e pazakontë për një kohë jashtëzakonisht të shkurtër. Tashmë është e qartë se ndryshimet klimatike paraqesin një rrezik të pa precedentë dhe drejtpërdrejt për mirëqenien e qytetarëve, ekonominë e vendit dhe mjedisin përreth. Kosova nuk bën asnjë përjashtim. Ajo është po aq e rrezikuar ndaj thatësirave me zjarreve, rrëshqitjeve të dheut, përmbytjeve dhe humbjeve të bio-diversitetit. Në fakt, modelimet klimatike për rajonin e Ballkanit Perëndimor tregojnë një rritje më të madhe të temperaturës krahasuar me mesataren globale. Në krahasim me nivelet e zakonshme të vitit 1970, temperatura mesatare vjetore në rajon është rritur për 1,2 gradë celsius”, tha Kurti.

Sipas tij, përmbytjet e tipit 100-vjeçar që mund të përsëriten çdo 100 vjet, mund të shkaktojnë dëme me 3 për qind të bruto produktit vendor.

“Në rast të rritjes së frekuencës dhe intensitetit të përmbytjes, si rezultat i ndryshimeve klimatike një këso përmbytje e tipit 100 vjeçar, në të ardhmen mund të shkaktojë dëme nga 300 deri në 700 milionë euro. Në këtë përballje me forcën e natyrës, infrastruktura e dorës së njeriut ka rol kyç. Ndërtimet në zonat me rrezik nga përmbytjet dhe mungesa e sistemeve të drenazhit në disa zona urbane kontribuojnë për të keq në rritjen e pasojave nga përmbytjet e shpeshta. Rimëkëmbja nga vërshimet synim duhet ta ketë shmangien e përsëritjes së tyre, përveçse edhe rikuperimin prej tyre. Qeveria jonë është në fazën përfundimtare të hartimit të hartave të rrezikshmërisë nga përmbytjet e që do të pasohet me planin e menaxhimit të përmbytjeve. Ne do të fillojmë strategjinë e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, e cili vjen si rezultat i ligjit të parë për ndryshimet klimatike dhe jemi aktivisht duke e marrë në konsideratë përshtatjen ndaj këtyre ndryshimeve, gjatë projektimit të infrastrukturës”, shtoi Kurti.

Po ashtu, kryeministri Kurti deklaroi se po lobojnë për të siguruar qasje të drejtpërdrejt në fonde.

“Po lobojmë për të siguruar që Kosova të ketë qasje të drejtpërdrejt në fonde për këtë qëllim. Vlerësohet se Kosovës i duhen investime prej më shumë se 1,3 miliardë euro në infrastrukturë, për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike”, vijoi shefi i ekzekutivit.

Një grua 26-vjeçare dhe djali saj 5-vjeçar kanë vdekur të shtunën (24 qershor) në Pejë si pasojë e vërshimeve./