Kurti jashtë vendit, liderët e tjerë s’marrin pjesë- PDK, LDK dhe AAK përfaqësohen nga zyrtarë të tjerë në takim me Konjufcën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur në takim liderët e partive politike në vend. Takimi i thirrur nga Konjufca një javë më parë do të mbahet sot në ora 12:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Por edhe pse është paraparë që ky takim të jetë në mes Konjufcës dhe liderëve partiakë,…

Lajme

08/04/2025 10:15

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur në takim liderët e partive politike në vend.

Takimi i thirrur nga Konjufca një javë më parë do të mbahet sot në ora 12:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Por edhe pse është paraparë që ky takim të jetë në mes Konjufcës dhe liderëve partiakë, të njëjtit s’do të jenë të pranishëm.

Siç merr vesh lajmi.net nga Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë i pranishëm i pari i partisë Albin Kurti pasi i njëjtit gjendet jashtë vendit.

Kësisoj nuk dihet se kush nga Vetëvendosje do ta përfaqësojë në takimin me Konjufcës.

Kurse nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në takim do të jetë Muharrem Nitaj.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i partisë, Kushtrim Xhemaili.

Xhemaili tha se “në takim do të marrë pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Muharrem Nitaj”.

Në lidhje me pjesëmarrjen në këto takime, lajmi.net ka pyetur edhe në Partinë Demokratike të Kosovës se kush do ta përfaqësojë partinë por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Pavarësisht se të njëjtit nuk janë përgjigjur në këtë takim pritet që përfaqësues të jetë Uran Ismaili.

Njësoj pritet të ndodhë edhe nga LDK-ja, ku Lumir Abdixhiku si përfaqësuese do ta çoj në takim nënkryetaren Doarsa Kica-Xhelili.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga Besian Mustafa.

“Doarsa do të marrë pjesë në takim me Glaukun”,tha i zgjedhuri për deputet nga radhët e LDK-së.

Ky takim i Konjufcës me liderët partiakë është thirrur pak ditë para seancës konstituive.

Presidentja Vjosa Osmani vendosi javën e kaluar që seanca konstituive të mbahet më 15 prill, ku Vetëvendosje syno që të zgjedhë edhe qeverinë e re.

Nga zgjedhjet e 9 shkurtit partia fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, por e cila këtë herë fitoi më pak se 50% e kësisoj s’do arrij që ta bëj e vetme qeverinë si herën e kaluar. Mbetet të shihet nëse VV do sigurojë votat e të tjerëve apo do lidh një koalicion të mundshëm për formimin e qeverisë së re.

Partia e dytë nga këto zgjedhje u rendit Partia Demokratike e Kosovës- ku kandidati për kryeministër Bedri Hamza deklaroi hapur se s’ka vija të kuqe për asnjë parti politike, por që me LDK-në kanë më tepër mundësi bashkëpunimi.

Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës u rendit si parti e tretë. Kjo e fundit dje mori një ftesë nga i pari i VV-së, Albin Kurti. Lideri i LDK-së Lumir Abdixhiku u ftua në takim nga Kurti madje me orare të ndryshme- si mundësi për t’u takuar.

Java e ardhshme do të jetë përplot dinamika – duke mos u ditur ende se cili do jetë fati i institucioneve të ardhshme të vendit./Lajmi.net/