“Kurti ia ka borxh 51% të qytetarëve sqarimin për përfaqësimin e Kosovës me fusnotë”

Përfaqësimi i Kosovës me fusnotë në takimin e katërt që po mbahet në kuadër të Stabilizim-Asociimit në Bruksel ka ngjallur reagime në opinionin publik.

Lajme

07/12/2021 15:13

Rasim Alija, njohës i çështjeve politike, e ka komentuar një gjë të tillë dhe për lajmi.net ka thënë se kryeministri Kurti ua ka borxh të gjithë qytetarëve të Kosovës një sqarim lidhur me një përfaqësim të këtillë, e posaçërisht votuesve të tij, shkruan lajmi.net.

“Këtë diskurs z. Kurti në kthimin e tij në Kosovë ia ka borxh opinionit publik që ta sqarojë punën e pranimin e përfaqësimit të Kosovës me fusnotë. Ua ka borxh në radhë të parë atyre votuesve të 14 shkurti, gati 51% të votuesve, pastaj të gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi ai.

Alija një gjë të tillë e konsideroi edhe si dështim politik të pushteteve të kaluara.

“Kjo tregon edhe pafuqinë e skenës politike të shtetit të Kosovës, mirëpo në veçanti edhe atyre që kanë udhëheqë edhe atyre që janë tani që ta ndryshojnë diskursin dhe përfaqësimin e Kosovës në mekanizmat e BE”, tha ai.

“Të them të drejtën ka qenë e pritshme nga çdokush të bëhet një gjë e tillë, mirëpo jo nga z. Kurti, duke marrë historinë e tij të deklaratave dhe qëndrimeve karshi integritetit të Kosovës”.

Ndryshe, Kurti po qëndron në Bruksel bashkë me disa prej ministrave të kabinetit qeveritar për të mbajtur mbledhjën e katërt të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Kosovës dhe BE-së. /Lajmi.net/