Të Infektuar: 1123

Të Shëruar: 847

Të Vdekur: 30

Kurti: I kujtojmë me nderim dëshmorët e Koshares dhe nuk ua harrojmë idealin

1:02 | 10 Prill 2020

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar në 21 vjetorin e saj Betejën e Koshares.

Kurti e konsideron Betejën e Koshares si një nga momentet e lavdishme të luftës së Kosovës për çlirim e bashkim.

“Duhet t´ua shpjegojmë më të rinjve rëndësinë e asaj beteje, ku luftëtarët tanë e thyen me vullnet politik e ushtarak kufirin shqiptaro-shqiptar, kufirin e imponuar nga Jugosllavia, i cili e ka ndarë për thuajse nëntë dekada kombin tonë përgjysmë, ka ndarë familje e individë, komunitete e ekonomi, por nuk ka arritur të ndajë kulturën, gjuhën dhe aspiratat tona”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

Ky është postimi i tij i plotë:

Njëzet e një vite më parë, brigada 138 e UÇK-së, nën komandën e Agim Ramadanit, nisi Betejën e Koshares, një nga momentet e lavdishme të luftës së Kosovës për çlirim e bashkim. Duhet t´ua shpjegojmë më të rinjve rëndësinë e asaj beteje, ku luftëtarët tanë e thyen me vullnet politik e ushtarak kufirin shqiptaro-shqiptar, kufirin e imponuar nga Jugosllavia, i cili e ka ndarë për thuajse nëntë dekada kombin tonë përgjysmë, ka ndarë familje e individë, komunitete e ekonomi, por nuk ka arritur të ndajë kulturën, gjuhën dhe aspiratat tona.

Në atë betejë ranë shumë dëshmorë, shqiptarë nga Kosova por edhe nga trojet e tjera. Ra, në krye të detyrës kombëtare edhe komandanti, Agim Ramadani. Por, gjaku që derdhën dëshmorët e martirët, nuk shkoi kot. Sakrifica e tyre sublime e përshpejtoi Kosovën në rrugën e çlirimit dhe faktorët ndërkombëtarë perëndimorë, respektuan dëshirën e shqiptarëve për liri. Aleatë të mëdhenj, ShBA, NATO, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia e Franca e shumë vende të tjera ishin bashkuar në ndërhyrje, në ndihmë të luftës sonë.

I kujtojmë me nderim dëshmorët e Koshares, dhe nuk ua harrojmë idealin. E veteranëve të asaj beteje e të betejave të tjera, iu premtojmë se do ta mbajmë luftën të pastër dhe ashtu do t´ia përcjellim gjeneratave të ardhme, sepse ideali i asaj lufte është themeli politik i jetës sonë. Pa luftën, vetëm mbijetonim, edhe atë jo të gjithë, e sigurisht pa liri e me dinjitet të shkelur. Me luftën, ne sot mund të jetojmë. Ata pak njerëz të papërgjegjshëm që duke dashur të përfitojnë prej luftës rrezikuan ta përlyejnë kujtimin e saj, fatmirësisht janë pak dhe nuk mund të dëmtojnë më.

Lavdi luftëtarëve të Koshares, lavdi ushtarëve të UÇK-së. Ata na sollën lirinë. Le të jenë shembull udhëheqës për ne, si qeveri, si opozitë e si popull, në betejat tona moderne e paqësore, që synojnë zhvillimin dhe forcimin e shtetësisë, ekonomisë dhe shoqërisë së Kosovës, derisa ta arrijmë barazinë mes shqiptarëve dhe kombeve të tjerë në rajon. /Lajmi.net/