Nuk u paraqit në Prokurori, Kurti shprehet i gatshëm t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale për të dëshmuar, pasi që i njëjti ndodhet jashtë vendit. Lidhur me mosparaqitjen e tij, ka folur zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se Prokuroria Speciale ka qenë e njoftuar. “Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale për të dëshmuar, pasi që i njëjti ndodhet jashtë vendit.
Lidhur me mosparaqitjen e tij, ka folur zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se Prokuroria Speciale ka qenë e njoftuar.
“Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Kryeministri Kurti nuk u paraqit sot në Prokurorinë Speciale ku ishte i ftuar në cilësinë e dëshmitarit.
Nga Zyra e tij thanë se ai është jashtë vendit në “një agjendë të konfirmuar kohë më parë”.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, tha Kryeziu më 16 dhjetor.
Kurse zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi ka njoftuar se janë informuar nga Zyra e Kryeministrit se ai është në udhëtim jashtë vendit dhe se s’do të mund të paraqitet.
“Siç jeni në dijeni Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt ka ftuar kryeministrin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në hetimet në një rast penal që kjo Prokurori e ka në hetim.Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria është informuar se Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale. Konform legjislacionit në fuqi, Prokuroria do të përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër”, deklaroi Liridona Kozmaqi nga Zyra për Informim e Prokurorisë Speciale, transmeton lajmi.net.
Ajo theksoi se tani për tani s’mund të ndajë më tepër informacione.
“Ende nuk është vendosur për caktimin e datës tjetër. Prokuroria konform ligjeve në fuqi do të bëjë ftesën, dihet cilat janë hapat e ardhshëm. Po përderisa është në udhëtim jashtë vendit, për ne është në rregullt. Do të bëhet ftesa e radhës konform legjislacionit në fuqi”./Lajmi.net/