Kurti e Vitia largohen nga konferenca, nuk i presin gazetarët të përfundojnë pyetjet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë mbajtur konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare që u mbajt sot në ora 17:00, pas situatës së rënduar me pandeminë.

Lajme

29/08/2021 19:53

Kurti ka njoftuar opinionin se kanë marrë disa vendime dhe propozime që do të zbatohen gjatë ditëve në vijim, përfshirë këtu edhe zgjatjen e orarit të pjesëtarëve së Policisë të Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se orari i policisë do të bëhet me ndërrime nga 8 orë në 12 orë, ndërsa ka thënë se do të gjashtë-fishohet numri i inspektorëve në teren.

Përderisa gazetarët ishin mbledhur dhe kanë bërë disa pyetje për ministrin Vitia dhe kryeministrin Kurti, ky i fundit pasi ka përfunduar një përgjigje ka përshëndetur gazetarët dhe së bashku me ministrin Vitia është larguar nga konferenca.

Gazetarët në anën tjetër ju kanë bërë të ditur Kurtit dhe Vitisë se ende nuk kanë përfunduar pyetjet, por Vitia ka thënë se këto çështje do të diskutohen me ekspertët e fushës, duke u larguar menjëherë pas Kurtit.

Largimi i Kurtit dhe Vitisë nga konferenca pa përfunduar të gjitha pyetjet, ka irrituar edhe disa gazetarë që janë shprehur të habitur me veprimin e Kryeministrit dhe Ministrit të Shëndetësisë. /Lajmi.net/