Kurti e pranon në Shkup: Masat ndëshkuese po e pengojnë zhvillimin

Në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor mbi Planin e Rritjes së BE-së, që u mbajt në Shkup, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kritikoi masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato të padrejta dhe të dëmshme për zhvillimin ekonomik dhe për procesin e reformave. Sipas njoftimit të Zyrës së…

Lajme

01/07/2025 16:24

Në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor mbi Planin e Rritjes së BE-së, që u mbajt në Shkup, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kritikoi masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato të padrejta dhe të dëmshme për zhvillimin ekonomik dhe për procesin e reformave.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, ai ka deklaruar se ndërkohë që Ballkani Perëndimor po përballet me kërkesa të njëjta për reforma, nuk ka përfitime të barabarta.

Kosova, sipas tij, mbetet e përjashtuar nga programe të rëndësishme evropiane si Konventa e Transitit të Përbashkët dhe organizatat e standardizimit (CEN/CENELEC), si dhe nuk ka qasje në financimin për tranzicionin e gjelbër dhe klimën.

“Gjithashtu, parimi udhëheqës duhet të jetë se ajo që kërkohet në mënyrë të barabartë nga ne të reformojmë, duhet të jemi në pozicion të barabartë për të përfituar. Kjo do të thotë qasje në programe dhe instrumente që mundësojnë reforma dhe rritje. Kosova ende nuk ka qasje në programet kryesore për tregti, siç është Konventa e Tranzitit të Përbashkët dhe organizatat e standardizimit të BE-së, siç është Komiteti Evropian për Standardizim/Komiteti Evropian për Standardizimin Elektroteknik (CEN/CENELEC). Kjo vlen edhe për qasjen në financimin e tranzicionit të gjelbër. Na mungon qasja në financimin e klimës, dhe masat e padrejta dhe të dëmshme të BE-së kanë vonuar projektet dhe kanë bllokuar reformat në fushat e energjisë dhe rritjes, gjë që shkon kundër vetë logjikës së Planit të Rritjes”, ka deklaruar Kurti.

Në fjalimin e tij, kryeministri përmendi përparimet e Kosovës në bashkëpunimin rajonal, përfshirë hapjen e dy pikave të përbashkëta kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe një me Shqipërinë, si dhe avancimet në procesin e anëtarësimit në Hapësirën e Vetme Evropiane të Pagesave (SEPA) dhe zhvillimin e një sistemi elektronik të identifikimit, i cili do të lansohet në shtator.

Kurti gjithashtu kërkoi reformim të organizatave rajonale si CEFTA, duke propozuar një sistem rotacioni për pozicionet drejtuese dhe një shpërndarje më të drejtë të burimeve dhe aktiviteteve.

Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë e sigurisë në rajon dhe përshëndeti angazhimin e NATO-s për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje deri në 5% të PBB-së, duke theksuar se një Evropë më e fortë është një Evropë që mund të mbrojë veten dhe sigurinë e qytetarëve të saj.