Kurti e Osmani ende asnjë fjalë për sulmin ndaj gazetarit Visar Duriqi

16:53 | 25 Shkurt 2021

Mbrëmë, gazetari Visar Duriqi është sulmuar afër banesës së tij nga disa persona të cilët i kanë shkaktuar lëndime të rënda në fytyrë dhe pjesë të ndryshme të trupit.

Nga sulmi, Duriqit i janë thyer disa dhëmbë, hunda dhe ka pësuar lëndime të rënda në fytyrë e trup, shkruan lajmi.net.

Lidhur me këtë rast është hapur hetim edhe nga Prokuroria e Shtetit.  Me anë të një komunikate për media, Prokuroria e Prishtinës ka thënë se ka inicuar rast të “lëndimit të rëndë trupor”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin lidhur me incidentin ndaj gazetarit V.D., se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Lëndimi i rëndë trupor”, nga neni 186 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria nis hetimet për sulmin ndaj gazetarit Visar Duriqi

Reagimet në mbështetje të Duriqit kanë qenë të shumta, por kanë munguar reagimet nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili njëkohësisht është edhe pretendenti kryesor për të qenë kryeministër i vendit pas certifikimit të rezultateve dhe as partnerja e Kurtit në zgjedhje, u.d e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani e cila është po ashtu kandidate për presidente nga zgjedhjet e fundit në Kosovë.

Të dy, Kurti e Osmani kishin reaguar ashpër për sulmin ndaj djalit të politikanit serb të Kosovës, Nenad Rashiq, por ende nuk kanë reaguar për sulmin ndaj gazetarit Duriqi.

Sulmin ndaj Duriqit e ka dënuar edhe Bashkimi Evropian nëpërmjet një reagimi ku kanë kerkuar nga organet e rendit që të hetojnë rastin dhe që sulmuesit të dalin para drejtësisë.

“Thellësisht të shqetësuar nga sulmi ndaj gazetarit hulumtues Visar Duriqi. Gazetarët duhet të kenë mundësinë për të punuar në një ambient të lirë dhe të sigurt. Bëjmë apel tek autoritetet që të hetojnë shpejt incidentin dhe të sjellin sulmuesit para drejtësisë”, thuhet në reagimin e BE-së.

Bashkimi Evropian reagon për sulmin brutal ndaj gazetarit Visar Duriqi

Për rastin e Duriqit kanë reaguar pothuajse të gjithë akterët e shoqërisë civile në Kosovë, Organizata Jo-qeveritare e krerë të partive politike në Kosovë.

Nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK kanë deklaruar se sulmi ndaj gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga organet e drejtësisë që sa më shpejtë t’i hetojnë motivet e sulmit dhe ta zbardhin këtë rast, i cili në themel dëmton lirinë e shprehjes dhe medias. AGK-ja do t’i njoftojë të gjithë akterët kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me këtë rast dhe njëherit iu bëjmë thirrje të gjithë kolegëve tanë gazetarë që t’i raportojnë kërcënimet dhe sulmet në drejtim të tyre. Çdo sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend.”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Ushtruesi i Detyrës i Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ai në reagimin e tij është shprehur se liria e mendimit dhe mediave nuk mund të ndalen me dhunë dhe e ka cilësuar të papranueshëm dhe qyqar sulmin ndaj Duriqit duke shtuar se është sulm ndaj lirisë dhe demokracisë në Kosovë.

“Liria e mendimit, puna profesionale e mediave dhe gazetaria nuk mund të ndalen me dhunë asnjëherë. Sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit Visar Duriqi është i papranueshëm, qyqar dhe që godet drejtpërdrejt lirinë e demokracinë e shtetit tonë të ngritur me shumë mund. Çdo herë e kam çmuar punën profesionale të Visarit në shumë tema hulumtuese dhe të ndjeshme. Duke shprehur mbështetjen time dhe solidarizimin me Visarin, u bëj thirrje organeve kompetente që të veprojnë për t’i nxjerrë sa më parë aktorët e këtij sulmi para përgjegjësisë.”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj: Sulmi ndaj Duriqit, i papranueshëm e qyqar – sa më parë të gjenden fajtorët

Tutje, ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti i cili është shprehur se sulmi ndaj Duriqit është sulm ndaj fjalës së lirë dhe është i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Ai ka bërë thirrje te organet e drejtësisë që të merren me rastin.

“Sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi është sulm ndaj fjalës së lirë dhe si i tillë është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Ftoj organet e rendit për ndriçim sa më të shpejtë të këtij akti qyqar, ndërsa gazetarit Duriqi i uroj shërim dhe kthim sa më të shpejt në kryerjen e detyrës së tij. Dhuna dhe tendenca për frikësim të gazetarëve është përpjekje për kufizim të lirisë së shprehjes dhe zhbërje të demokracisë, e cila nuk duhet te tolerohet sepse e drejta e fjalës së lirë është e garantuar me ligj.”, ka shkruar Hoti.

Mbetet të shihet nëse Kurti e Osmani do të reagojnë lidhur me këtë rast pasi reagimi i tyre deri më tani ende nuk ka ardhur. /Lajmi.net/