Kurti e nis herët fushatën duke goditur ish-zyrtarët shtetërorë, e duke marrë meritat për liberalizimin e vizave

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar sot lidhur me liberalizimin e vizave, duke theksuar se ky proces është arritur si rezultat i qeverisjes së tij dhe punës së institucioneve të Kosovës, pa kompromise e pa festime. “Shtet i fortë – pasaportë e fuqishme. Udhëtojmë në Bashkimin Evropian si të barabartë e të lirë, pas…

Lajme

11/12/2025 12:57

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar sot lidhur me liberalizimin e vizave, duke theksuar se ky proces është arritur si rezultat i qeverisjes së tij dhe punës së institucioneve të Kosovës, pa kompromise e pa festime.

“Shtet i fortë – pasaportë e fuqishme. Udhëtojmë në Bashkimin Evropian si të barabartë e të lirë, pas një kohe të gjatë izolimi e shpërfilljeje. Me qeverisjen tonë liberalizimi i vizave u arrit me punë, pa kompromise, pa shampanja, sepse ishte e drejtë dhe meritë, e shtetit dhe popullit të Kosovës”, shkroi Kurti.

Deklarata e tij riktheu në qendër të vëmendjes festën e vitit 2016, kur ish-ministri Bekim Çollaku dhe kabineti i atëhershëm u panë duke festuar me shampanjë pas marrjes së rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, raporton lajmi.net

Në vitin 2022, Çollaku sqaroi pse procesi nuk kishte përfunduar, ndonëse ishte festuar rekomandimi.

Ai deklaroi se nuk ishte penduar për atë moment.

“S’jam pishman në asnjë mënyrë, sepse ato deklarime janë 100 përqind të sakta. Kemi pritur rekomandimin pozitiv për përmbushjen e kritereve atë ditë dhe Komisioni Europian e ka dhënë rekomandimin pozitiv. Mirëpo atë ditë nuk i jemi gëzuar vendimit përfundimtar. Për ata që e njohin këtë proces është plotësisht i kuptueshëm, për ata që s’e njohin është totalisht i pakuptueshëm pse Kosova është pa viza edhe sot e kësaj dite”, kishte deklaruar Çollaku në InfoMagzine./Lajmi.net/