Kurti e komplikon marrëveshjen, i vendos kushte Hamzës për t’ia votuar ndryshimet në Ligjin për Specialen – PDK tërhiqet nga kërkesa që Presidenti t’iu takoj atyre
Bisedimet mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, kanë marrë një kthesë të papritur gjatë takimit të sotëm, duke e vështirësuar arritjen e një marrëveshjeje për votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Burime të Gazetës Express të afërta me bisedimet thonë se pengesa kryesore ka…
Lajme
Bisedimet mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, kanë marrë një kthesë të papritur gjatë takimit të sotëm, duke e vështirësuar arritjen e një marrëveshjeje për votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Burime të Gazetës Express të afërta me bisedimet thonë se pengesa kryesore ka të bëjë me renditjen e hapave që duhet të ndërmerren në Kuvend.
Sipas këtyre burimeve, Kurti ka kërkuar që fillimisht Projektligji për Specialen të miratohet vetëm në lexim të parë, më pas Kuvendi të kalojë në seancën për zgjedhjen e Presidentit dhe vetëm pas kësaj të procedohet leximi i dytë i projektligjit.
Kjo formulë nuk është pranuar nga kreu i PDK Bedri Hamza.
Hamza ia ka bërë të qartë Kurtit se qëndrimi i partisë së tij është që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të përfundojnë në Kuvend, pra të miratohen në të dy leximet, para se PDK-ja të përfshihet në procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Hamza e kishte bërë publik këtë qëndrim edhe para takimit, duke deklaruar se për PDK-në prioritet është procedimi i Ligjit për Specialen dhe më pas procesi për Presidentin.
Megjithatë, thonë se PDK-ja nuk po kërkon që Presidenti i ardhshëm të jetë kandidat i saj. Hamza i ka bërë të ditur Kurtit se është i hapur për propozime të tij për emrin e Presidentit, me kusht që paraprakisht të përfundojë procedura parlamentare për Ligjin e Speciales.
Pra, dallimi kryesor mes palëve nuk lidhet vetëm me përmbajtjen e marrëveshjes, por me radhën e zbatimit të saj: Kurti kërkon që ligji të kalojë në lexim të parë pastaj votimin për Presidentin dhe më pas votimin e ligjit në lexim të dytë; PDK-ja kërkon që ligji të kalojë të dy leximet dhe vetëm pastaj të zhvillohet seanca për Presidentin.
Takimi i sotëm Kurti–Hamza zgjati më shumë se dy orë. Pas tij, Hamza tha publikisht se bisedimet mes tyre kanë përfunduar dhe se kanë mbetur edhe disa ditë për të parë nëse ekziston mundësia e një marrëveshjeje. Ai përsëriti se PDK-ja kërkon miratimin përfundimtar të ligjit në dy lexime dhe se më pas është e gatshme të hyjë në procesin për Presidentin.
Koha për një kompromis është e kufizuar, pasi afati për zgjedhjen e Presidentit po afrohet dhe dështimi për ta përmbyllur procesin do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.