Kurti e kërkon dyfishimin e votave nga mërgata: Paramendojeni çka bëjmë…

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota. Ai thotë se kanë investuar shumë në ushtri e mbrotje, duke pyetur retorikisht se çfarë bëjnë nëse iu dyfishohen votat nga diaspora. “Çdo  e nënta euro e buxhetit të Republikës së Kosovës shkon ose për Ministrinë e Mbrojtjes ose për Ministrinë e Punëve…

Lajme

22/12/2024 22:56

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota.

Ai thotë se kanë investuar shumë në ushtri e mbrotje, duke pyetur retorikisht se çfarë bëjnë nëse iu dyfishohen votat nga diaspora.

“Çdo  e nënta euro e buxhetit të Republikës së Kosovës shkon ose për Ministrinë e Mbrojtjes ose për Ministrinë e Punëve të Brendshme sepse na e dimë shumë mirë sa shumë kemi vuajtur e humbur të kaluarën sepse nuk I kemi pasur forca tona. E tash Kosova e ka ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, sovranitetin shtetëror, e ka integritetin territorial cep më cepësi asnjëherë më mirë, e paramendoni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju me na i dyfishu me i ba 74 mijë”, ka thënë Kurti.

Kurti këtë video e publikoi në Facebook, të dielën teksa shkroi mbi të për pritjen që ia ka  bërë mërgatës.

“Kur vjen mërgata, Kosova është e plotë. Sa më afër që e kemi mërgatën, aq më përpara e çojmë Kosovën. Në takimin e mbrëmshëm me bashkatdhetarë frymonte entuziazmi dhe besimi se, duke qenë së bashku, do ta vazhdojmë punën e mirë. Përkushtimi do të jetë edhe më i fuqishëm, ashtu siç është edhe e ardhmja e afërt për vendin tonë. Edhe katër ditë mbeten nga afati i fundit i regjistrimit për mërgatën, që të mund ta ushtrojë të drejtën për të votuar. Ju ftoj të regjistroheni sa më parë e sa më shpejt, sepse e ardhmja e një Kosove të fuqishme bëhet e mundur vetëm me pjesëmarrjen e mërgatës sonë të fuqishme”, ka shkruar Kurti në Facebook.