Kurti: Do të subvencionojmë çmimin e naftës për bujqit në vlerë prej 5 milionë euro

Qeveria e Kosovës do të subvencionojë çmimin e naftës për bujqit në vlerë prej 5 milionë euro.

Lajme

09/03/2022 15:49

Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i vendit, Albin Kurti, në një konferencë për media së bashku me Ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, tha se asnjë qeveri nuk i ka përkrahur më herët bujqit në këtë drejtim.

“Paradite në mbledhjen e qeverisë morëm vendime të rëndësishme, por paralajmëruam që pasdite do të kemi një njoftim të rëndësishme për bujqit. Në tetor të vitit të kaluar e patëm bërë të ditur se thirrjet për subvencione për këtë vit do të hapen në çerekun e parë të vitit dhe atë po e bëjmë. Programet e subvencionimit do të shpallen në këtë muaj, në muajin mars nuk do të kemi vonesa, por vendosje rekord të programeve mbështetëse për bujqit”, ka thënë Kurti.

Kurti ka treguar edhe se si do të ndahen subvencionet në bazë të kulturave bujqësore.

“Për grurin përveç subvencionit prej 150 euro për hektarë do të bëhet edhe subvencioni për 3 cent për kilogram për dorëzim në mulli të rendimentit. Në total duke përfshirë këto subvencione, kulturën e grurit po e subvencionojmë për 474 euro për hektarë, 324 euro më shumë se vitin e kaluar, ose një rritje prej 216%. Të gjitha këto për qëllim e kanë rritjen e rendimentit që i përket nevojës vendore për konsum dhe e zëvendëson nevojën për import të lartë. Po aq edhe sa avancimin e sektorit të bujqësisë si një sektor me potencial për zhvillimin e bujqësisë në vendin tonë”, deklaroi Kurti.

Ndërkaq, ministri i bujqësisë, Faton Peci tha se në total vlera e subvencionimit për bujqit këtë vit do të jetë 50 milionë euro.

“Përkrahja do të jetë substanciale për shumicën e produkteve e veçanërisht të atyre substanciale që vlerësohet se bëjnë pjesë në sigurinë kombëtare të ushqimit, saç janë drithërat, gruri, perimet, patatet, fasulet. Vetëm për përkrahjen e subvencionimit për këtë vit, falë përkrahjes të Qeverisë i kemi rreth 50 milionë euro vetëm në kategorinë e subvencioneve dhe shumë shpejtë do të bëjmë hapjen e thirrjes edhe për grantet”, tha ai.